Kuvendi i Kosovës i bën nderime kongresistit të ndjerë amerikan, Eliot Engel
Kuvendi i Republikës së Kosovës, i drejtuar nga kryetarja Albulena Haxhiu, mbajti sot një seancë të veçantë në shenjë nderimi për kongresistin amerikan Eliot Engel.
Në nderim të kongresistit amerikan, i cili ndërroi jetë më 10 prill, seanca u hap me një minutë heshtje.
Më pas, një fjalë rasti për nder të Eliot Engel mbajti kryetarja Albulena Haxhiu. Në fjalën e saj para deputetëve dhe mysafirëve në sallën plenare, ajo tha se sot po kujtohet e nderohet një njeri që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.
“Sot nderojmë e kujtojmë mikun besnik, por edhe ligjvënësin e drejtë amerikan, i cili në ditët më të vështira të historisë sonë të re, bashkë me shumë kongresistë dhe senatorë të tjerë amerikanë, ngriti zërin fuqishëm kundër shkeljes së të drejtave tona, represionit dhe persekutimit nga regjimi serbo-jugosllav”, tha Haxhiu.
Tutje, kryeparlamentarja theksoi se Engel i përkiste një brezi politikanësh që e kuptonin shërbimin publik si detyrë morale dhe jo si privilegj.
“Në vitet e errëta, kur shqiptarët e Kosovës po vuanin nën regjimin e Slobodan Milosheviqit, e bota ende hezitonte të vepronte, Eliot Engel ngriti zërin”, u shpreh ajo.
Kryetarja Haxhiu shtoi se, kur ke miq si Eliot Engel, hapja e dyerve të botës bëhet e mundshme dhe historike.
“Në shumë raste, ato dyer mbeten të mbyllura derisa bëhet vonë. Rajoni ynë e njeh mirë këtë pritje. Por, kur ke miq si Eliot Engel, hapja e tyre është e mundshme dhe historike”, tha ajo.
Në vijim të seancës, një fjalë rasti mbajti kryeministri Albin Kurti, duke e nisur me një citat nga fjalimi i kongresistit amerikan më 10 shkurt 1999, në takimin e Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare: “Unë besoj që zgjidhja e vetme për Kosovën është pavarësia. Më lejoni t’ju tregoj se i them Kosova, sepse 90 për qind e njerëzve që jetojnë aty i thonë Kosova, prandaj po e përdor ‘a’-në. Pavarësia dhe vetëvendosja është e vetmja zgjidhje afatgjatë. Shqiptarët e Kosovës kurrë nuk do të trajtohen drejt nën Serbi dhe kjo është dëshmuar shumë herë. Mendoj se politika jonë është mjaft e mangët, sepse për aq kohë sa e shohim Millosheviqin si pjesë të zgjidhjes pa e kuptuar se ai është problemi e jo zgjidhja, çdo zgjidhje që e përfshin atë është e destinuar të dështojë”.
Këtë qëndrim të kongresistit amerikan, kryeministri Kurti e cilësoi të prerë dhe të guximshëm, që, sipas tij, njihte realitetin, nevojat e kohës dhe përfaqësonte një vizion të kthjellët e largpamës.
“Ai nuk u kursye asnjëherë në angazhimin e tij, duke e ngritur dhe duke avokuar për mbrojtjen e çështjes sonë në institucionet më të larta amerikane. Në shënimin e 10-vjetorit të pavarësisë, në këtë foltore, në Kuvendin e shtetit për të cilin ai ishte i bindur se do të bëhej, ai tha: ‘Dua ta shoh Kosovën të njohur nga çdo shtet në botë; dua ta shoh në BE, në NATO dhe në Kombet e Bashkuara’. Pra, ai donte për ne atë që duam për vete”, tha Kurti.
Më pas, nga një fjalë rasti mbajtën përfaqësuesit e partive parlamentare.
Deputetja Liza Gashi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se sot po nderohet njeriu që kontribuoi që qytetarët e Kosovës të jetojnë dhe të flasin lirshëm.
“Për Kosovën Eliot Engel nuk ishte vetëm një mik i madh në Kongresin amerikan, ai e kuptoi drejtë dhimbjen tonë, e mbrojti të drejtën tonë për liri dhe qëndroi pranë nesh kur rruga drejt shtetësisë dukej shumë e gjatë dhe e vështirë”, tha Gashi.
Në emër të PDK-së, një fjalë rasti mbajti nënkryetarja e Kuvendit Vlora Çitaku, e cila, duke vlerësuar lart angazhimin e kongresistit amerikan për Kosovën, tha se ai bëri atë që shumë pak njerëz e bëjnë në politikë.
“Ai la gjurmë në ndërgjegjen e njerëzve, sepse kur një popull i vogël dëgjohet pa qenë i pranishëm, kur historia e tij rrëfehet me ndershmëri dhe bindje, atëherë ajo histori ka gjetur një zë të vërtetë – e ai ishte Eliot Engel”, tha Çitaku.
Ndërsa në emër të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu e cilësoi kongresistin Engel si një zë të fuqishëm të lirisë së Kosovës në momentet më të vështira historike.
“Në vitet më vendimtare të fatit të popullit tonë, kongresmeni Engel ishte një mbështetës i palëkundur dhe një zë i vendosur në mbrojtje të së drejtës së Kosovës për liri dhe demokraci. Kur e vërteta për vendin tonë kishte nevojë të dëgjohej, ai ishte ndër ata që e ngritën me guxim në zemër të politikës amerikane”, tha ajo.
Artan Asllani nga Grupi Multietnik, në fjalën e tij, tha se në kohën kur Kosova po kalonte ditë të vështira, pati njerëz që nuk qëndruan indiferentë – dhe një prej tyre ishte Eliot Engel.
“Ai nuk ishte vetëm një zë në Kongresin amerikan; ai ishte një ndër të rrallët që pa dhimbjen tonë, në një kohë kur shumëkush hezitonte ta shihte”, tha Asllani.
Seanca u përmbyll me fjalimin e deputetit Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i cili theksoi se mirënjohja dhe respekti për miqtë e vendit janë ndër vlerat më të rëndësishme të kombit shqiptar.
“Kuvendi po merr një vendim historik duke nderuar dhe përkujtuar Eliot Engel. Ky është më shumë se një moment kujtese; është një shprehje e qartë e mirënjohjes sonë si shtet për një njeri që qëndroi me popullin e Kosovës në kohët tona më të vështira”, tha Tahiri.

