RajoniTop Lajme

“Kuvendi i Kosovës miraton Rezolutën për Preshevën”, Kamberi: Faleminderit të gjithëve për mbështetjen!

Shpërndaje

Deputeti Shaip Kamberi, përmes një postimi në Facebook, ka falënderuar Kuvendin e Kosovës dhe të gjitha grupet parlamentare për miratimin e Rezolutës për avancimin e përkujdesjes institucionale ndaj komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës, e cila paraqet një hap të rëndësishëm drejt mbështetjes së qëndrueshme dhe në përputhje me standardet evropiane.

Postimi i plotë:
Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi, njëzëri, Rezolutën për avancimin e përkujdesjes institucionale ndaj komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës e cila paraqet një hap të rëndësishëm drejt mbështetjes së qëndrueshme dhe në përputhje me standardet evropiane.
Dua të shpreh falënderimin tim të sinqertë për Kryetaren e Kuvendit, për Kryeministrin, si dhe për të gjitha grupet parlamentare LVV, PDK, LDK, AAK për mbështetjen dhe unitetin e treguar në miratimin e kësaj Rezolute.
Ky konsensus i gjerë politik është një mesazh i fuqishëm për rëndësinë që ka kjo çështje dhe për përkushtimin tonë të përbashkët ndaj të drejtave, barazisë dhe dinjitetit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Rezoluta nuk paraqet vetëm një akt formal, ajo është një angazhim konkret për politika më të strukturuara, për forcimin e përfaqësimit, për zhvillim socio-ekonomik dhe për respektimin e plotë të të drejtave në përputhje me standardet evropiane.
Miratimi i saj është dëshmi se kur ka vullnet politik dhe bashkëpunim, mund të ndërtojmë politika që i shërbejnë qytetarëve dhe të ardhmes evropiane të rajonit tonë.
Kjo Rezolutë riafirmon qartë se përkujdesja ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk është çështje sporadike, por politikë e qëndrueshme shtetërore.
Një element kyç i kësaj Rezolute është parimi i reciprocitetit. Nuk mund të ketë standarde të dyfishta. Të drejtat që kërkohen për një komunitet duhet të vlejnë njësoj për tjetrin. Kjo nuk është vetëm çështje drejtësie. Ky parim është parakusht për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet rajonal.
Faleminderit të gjithëve për mbështetjen!