Kuvendi i Kosovës miraton Projektligjin për Energjinë, 15 deputetë ishin kundër, 1 abstenoi
Kuvendi i Kosovës ka miratuar, të shtunën, në lexim të parë, Projektligjin për Energjinë. “Për” votuan 58 deputetë, 15 ishin “kundër”, ndërsa një deputet abstenoi.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ky projektligj përfaqëson një hap të rëndësishëm të modernizimit të sektorit energjetik.
“Ky projektligj përfaqëson një hap të rëndësishëm të modernizimit të sektorit të energjisë dhe integrimit të tij në tregun evropian. Ai sjell një qasje më të qartë, të avancuar dhe gjithëpërfshirëse të ligjit ekzistues, duke reflektuar nga pako e tretë e energjisë drejt kërkesave të energjisë së pastër”, tha ajo.
Mirëpo, kundër u shpreh deputeti i PDK-së, Ferat Shala, i cili tha se qeveria, përmes këtij projektligji, po synon shmangien e Kuvendit nga llogaridhënia për sektorin e energjisë dhe bartjen e saj te një ministër i qeverisë. Kjo çështje, sipas tij, është e ndjeshme.
“Puna e parë e këtij ligji është shmangia nga llogaridhënia dhe përgjegjësia e Kuvendit dhe bartja e përgjegjësisë te një ministri për një pjesë të sektorit energjetik, jashtëzakonisht delikat. Pra, në këtë rast, ne po e trajtojmë KOSTT jo siç ka qenë më parë me rregulla pak më të thjeshta, por po ia bartim Ministrisë së Infrastrukturës. Unë edhe e kuptoj reformën, por nuk e kuptoj reformën në procedura të përshpejtuara, pa debat me publikun, pa debat me akterët profesionistë, pa shoqërinë civile, pa media, duke u munduar t’i ndryshojmë bazat e legjislacionit”, tha ai.
Pas miratimit të këtij projektligji, mazhoranca dështoi ta kalonte mocionin procedural për të shqyrtuar në mënyrë të përshpejtuar shqyrtimin e dytë të projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Pas kësaj, kryeparlamentarja Haxhiu mbylli seancën e sotme plenare.

