Mickoski: 2 milionë euro investim për 100 automjete të reja, po e kthejmë Postën e Maqedonisë në shërbim të qytetarëve
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka realizuar një investim të rëndësishëm prej rreth 2 milionë eurosh për blerjen e 100 automjeteve të reja për nevojat e Postës së Maqedonisë, duke shënuar një kthesë në modernizimin e shërbimeve publike. Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë prezantimit të kësaj flote të re, deklaroi se ky projekt nuk është vetëm një blerje mjetesh, por një fillim i ri dhe një energji e re për një sistem që për vite me radhë ishte lënë në harresë.
Fjalimi i plotë:
Të nderuar qytetarë,
Të nderuar të punësuar,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Sot po flasim për një investim të rëndësishëm që nuk nënkupton vetëm automjete të reja, por një fillim të ri, energji të re dhe funksionalitet të ri për një sistem që për vite me radhë është lënë të përballet vetë me sfidat.
Qeveria, përmes Ministrisë së Transportit, realizoi furnizimin me 100 automjete të reja për nevojat e Postës së Maqedonisë. Detajet financiare tashmë i keni dëgjuar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i transportit.
Kjo nuk është një vendim i rastësishëm. Ky është një përgjigje ndaj një nevoje reale. Mosha mesatare e automjeteve me të cilat ka operuar deri tani Posta e Maqedonisë është rreth 15 vjet.
Kjo do të thotë pajisje e vjetëruar, defekte të shpeshta, kosto të rritura dhe efikasitet i ulët.
Kjo do të thotë vonesa në dërgesa, pakënaqësi te qytetarët dhe ulje e besimit në sistem.
Ne vendosëm t’i japim fund kësaj.
Ky furnizim është pjesë e një strategjie më të gjerë – për të rinovuar institucionet, për të modernizuar shërbimet publike dhe për t’i bërë ato funksionale për qytetarët. Sepse institucionet ekzistojnë për të shërbyer, jo për të kërkuar justifikime.
Me automjetet e reja, Posta do të mund të ofrojë shërbime më të shpejta, më efikase dhe më të sigurta për çdo qytetar, në çdo vendbanim dhe për çdo kompani. Do të ulen kostot e mirëmbajtjes, do të rritet produktiviteti dhe shërbimi do të bëhet më cilësor.
Por ky është vetëm fillimi.
Në kuadër të Planit për Rritje, po punojmë për masa konkrete me të cilat do të rrisim konkurrueshmërinë e postës sonë. Qëllimi ynë është i qartë – të krijojmë një institucion modern, efikas dhe të qëndrueshëm.
Parashikojmë përmirësim të efikasitetit në ofrimin e shërbimeve dhe ulje të kostove për të paktën 15 për qind. Në të njëjtën kohë, po punojmë për përmirësimin e treguesve të përfitueshmërisë, gjithashtu rreth 15 për qind. Kjo do të thotë menaxhim më i mirë, organizim më i mirë dhe rezultate më të mira.
Kjo është dallimi mes fjalëve dhe veprave. Mes premtimeve dhe realizimit.
Gjetëm një sistem që për një kohë të gjatë ka funksionuar me investime minimale, me pajisje të vjetruara dhe me efikasitet të dëmtuar. Sot, hap pas hapi, po e rikthejmë në funksion. Po e normalizojmë. Po e modernizojmë. Dhe po e përgatisim për të ardhmen.
Posta e Maqedonisë duhet të bëhet sërish një shërbim të cilit qytetarët do t’i besojnë. Një institucion që do të jetë partner i bizneseve. Një sistem që do të mund t’u përgjigjet sfidave bashkëkohore, sidomos në kohën e transformimit digjital dhe rritjes së tregtisë elektronike.
Ne nuk premtojmë rrugë të lehtë. Por premtojmë punë, përkushtim dhe rezultate.
Sepse po vjen koha kur institucionet do të punojnë për qytetarët.
Po vjen koha kur shteti do të japë rezultate.
Faleminderit.




