Delegacioni i UNT-së në samitin e IV-të të diasporës në Tiranë: Diaspora Akademike si shtyllë e kërkimit Shkencor
Tiranë, Prill 2026 – Me ftesë zyrtare të Qeverisë të Republikës së Shqipërisë, rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, po merr pjesë në punimet e Samitit IV të Diasporës Shqiptare, që po zhvillohet në Tiranë nën moton “Përmes rrënjëve lartësohemi”.
Në këtë ngjarje të rëndësishme mbarëshqiptare, rektori Fetaji shoqërohet nga ekipi drejtues i UNT-së, i përbërë nga prorektorët Prof. Inor. Dr. Fati Iseni dhe Prof. Inor. Dr. Sani Demiri, si dhe nga Mr. Driton Zendeli.
Fokusi kryesor i pjesëmarrjes së delegacionit të UNT-së është Diaspora dhe Kërkimi Shkencor, i cili zhvillohet nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit. Ky panel trajton rolin e diasporës akademike në avancimin e arsimit të lartë dhe mundësitë për projekte të përbashkëta kërkimore mes studiuesve në diasporë dhe institucioneve tona akademike.
Ky samit bën bashkë profesionistë, akademikë dhe personalitete të shquara nga mbarë bota, me qëllim diskursin mbi rolin jetik dhe kontributin strategjik të diasporës në zhvillimin gjithëpërfshirës të hapësirës mbarëshqiptare.
Pjesëmarrja e UNT-së në këtë samit synon institucionalizimin e bashkëpunimit shkencor shqiptar në botë, me qëllim modernizimin e kërkimit dhe rritjen e cilësisë në inovacion brenda hapësirës sonë akademike.

