Universiteti i Tetovës, pjesë e rrjetit ndërkombëtar për promovimin e shkencës
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i shoqëruar nga dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore (FSHMN), Prof. Dr. Florim Idrizi, prodekani për shkencë i FSHMN-së, Prof. Dr. Ahmed Jashari, shefi i programit studimor të Fizikës, Prof. Dr. Kimet Jusufi, Prof. Dr. Bashkim Ziberi dhe Mr. Sc. Nermine Muradi nga ky program studimor, si dhe udhëheqësja e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Doc. Dr. Hatibe Deari Zeqiri, e pritën në takim pune kryetarin e IPPOG (International Particle Physics Outreach Group), Dr. Steven Goldfarb, profesor në Universitetin e Melburnit, shkencëtar në CERN dhe në eksperimentin ATLAS, i cili është i angazhuar në promovimin e shkencës dhe të fizikës së grimcave.
Qëllimi i këtij takimi ishte shqyrtimi i mundësisë së anëtarësimit të Universitetit të Tetovës në këtë rrjet global të shkencëtarëve, edukatorëve dhe komunikuesve shkencorë, i cili synon afrimin e publikut me fushën e fizikës së grimcave. Gjatë takimit u nënshkrua marrëveshja paraprake për anëtarësimin e Universitetit të Tetovës në këtë rrjet ndërkombëtar për promovimin e shkencës dhe fizikës së grimcave.
Pas takimit, Prof. Dr. Steven Goldfarb mbajti një ligjëratë motivuese me studentët e FSHMN-së, me temën: “Përfshirja e botës nëpërmjet kërkimeve të LHC-së”. Ai u fokusua në kontributin e LHC-së (Large Hadron Collider) në zbulimet më të rëndësishme shkencore, si dhe në ndikimin e teknologjive të zhvilluara nga këto kërkime në jetën e përditshme dhe në kuptimin e origjinës së universit. Po ashtu, ai i inkurajoi studentët që të ndjekin rrugën e kërkimit shkencor, të zhvillojnë ide inovative dhe të kontribuojnë në projekte me shtrirje globale dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe teknologjik të shoqërisë.

