Haxhiu: 27 Vjet nga Masakra e Bukoshit – Kujtesa që nuk shuhet
Në këtë përvjetor të rëndë e përkujtimor, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, përkujton me dhimbje të thellë dhe respekt të veçantë 27-vjetorin e Masakrës së Bukoshit—një nga krimet më të rënda të kryera ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë, transmeton albazone media.
Kjo ditë shërben jo vetëm si kujtesë për tragjedinë e ndodhur, por edhe si thirrje për drejtësi, për të mos harruar kurrë sakrificën e atyre që humbën jetën padrejtësisht dhe për të ruajtur të vërtetën historike për brezat që vijnë.
Postimi i plotë:
27 vjet nga Masakra e Bukoshit
Në këtë ditë të 3 majit, 27 vjet më parë, nga kolona e shqiptarëve, të cilët ishin dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre, u nxorën 25 burra dhe djem të rinj, të cilët, nën kërcënimin e armëve, u sollën këtu, në oborrin e shkollës së fshatit, ku u rreshtuan pranë murit dhe u ekzekutuan me breshëri plumbash.
Familjet e tyre, të goditura nga dhimbja dhe në pamundësi për të qëndruar pranë më të dashurve të tyre, u detyruan të vazhdojnë rrugën e rëndë të dëbimit, duke lënë pas trupat e pajetë të atyre që i donin më së shumti.
Tmerri i asaj që ndodhi në Bukosh atë mëngjes pranvere nuk mund të përshkruhet plotësisht me fjalë. 25 jetë, secila e veçantë dhe e pazëvendësueshme, u shuan jo në betejë, jo në përballje të armatosur, por në një ekzekutim të ftohtë dhe të qëllimshëm. Ata ishin civilë. Ata ishin të pafajshëm. Ata meritonin të jetonin.
Sot, në këtë përvjetor, përkulemi me dhimbje dhe me respekt të thellë përpara kujtimit të 25 civilëve shqiptarë të vrarë në Bukosh. Ne i përmendim emrat e tyre me nder dhe i ruajmë në kujtesën tonë si një amanet të shenjtë.
Sot, po ashtu, shprehim nderimin dhe solidaritetin tonë më të thellë për familjet e të rënëve, për ata që mbijetuan jo vetëm masakrën, por edhe dhimbjen e largimit të detyruar nga vendi i krimit. Forca dhe qëndresa që këto familje kanë treguar përballë një humbjeje të paimagjinueshme dhe një padrejtësie të madhe është dëshmi e dinjitetit të popullit tonë, që nuk thyhet as nga dhuna, as nga koha.
Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit!

