“Kulla ku kanë ngrënë bukë Hasan Prishtina dhe Isa Boletini”, Kurti: Po ruajmë dëshmitë e historisë
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se institucionet po vazhdojnë pa u ndalur punën për restaurimin dhe mbrojtjen e dëshmive të historisë dhe identitetit kulturor.
Në Isniq të Deçanit është rikthyer në jetë kulla e Adem Qerim Osdautaj, një objekt me vlera të veçanta historike që i përket fillimit të shekullit XIX. Kjo kullë ka qëndruar ndër vite si shenjë e kohëve të shkuara, e familjes shqiptare dhe e qëndresës së popullit shqiptar.
Faza e parë e restaurimit dhe konservimit të saj tashmë ka përfunduar, ndërsa pritet që së shpejti të nisë edhe faza përfundimtare e punimeve.
Në video theksohet se në këtë kullë kanë kanë ngrënë bukë figura historike si Hasan Prishtina dhe Isa Boletini.
Kurti theksoi se investimet në trashëgimi kulturore janë investime në kujtesën kolektive, në gjurmët historike, në identitetin kombëtar, si dhe në zhvillimin kulturor e turistik të vendit.
Postim i plotë:
Po vazhdojmë pa u ndalur të restaurojmë e të mbrojmë dëshmitë e historisë dhe identitetit.
Në Isniq të Deçanit, është rikthyer në jetë kulla e Adem Qerim Osdautaj, një aset i fillimit të shekullit XIX që ka qëndruar shenjë e kohëve, familjes shqiptare dhe qëndresës sonë si popull.
Faza e parë e restaurimit dhe konservimit të saj tashmë ka përfunduar. Së shpejti nis edhe faza përfundimtare.
Investimi në trashëgimi kulturore është investim në kujtesën tonë kolektive, gjurmët historike, identitetin kombëtar dhe zhvillimin kulturor e turistik të vendit.
Mënyra e jetesës dhe historia e qyteteve tona ruhen më së miri përmes trashëgimisë kulturore. Çdo monument i restauruar është simbol kujtese i së kaluarës për brezat që vijnë.
Në Pejë ishim për vizitë te familja Qehaja, për të parë nga afër punimet restauruese në shtëpinë e tyre që i takon shekullit të XIX-të, shtëpi kjo me vlera të larta arkitekturore.
Ky investim, në vlerë prej rreth 240 mijë euro, synon ruajtjen e identitetit të kësaj shtëpie që përmban karakteristika të veçanta për arkitekturën tipike të shtëpive qytetare në Pejë.

