Vetëvendosje e nominon Kurtin kandidat për kryeministër
Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosja e ka nominuar Albin Kurtin si kandidat për kryeministër për zgjedhjet e 7 qershorit.
Nominimi i Kurtit mori mbështetjen e të gjithë anëtarëve gjatë mbledhjes të së shtunës.
Njoftimi i plotë:
Mbledhja LXIII e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Në mbledhjen LXIII të organit tonë më të rëndësishëm, atë të Këshillit të Përgjithshëm, Kryetari i Lëvizjes, Kryeministri aktual i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u zgjodh si kandidat për Kryeministër në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen me datë 7 qershor 2026.
U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Kryetarja e Kuvendit dhe njëherit edhe Kryetarja e GVV-së, Albulena Haxhiu duke e prezantuar nominimin e kandidaturës së Kryeministrit tha se Albin Kurti është i përkorë në jetën e tij, i rreptë në parime dhe i pashantazhueshëm në politikë. Ka fisnikërinë e njeriut që nuk e harron prej nga vjen, stoicizmin e atij që nuk thyhet prej presionit, dhe kthjelltësinë e udhëheqësit që e di kah duhet të shkojë vendi. Rruga e tij të kujton marathonomakun e Nolit: njeriun e udhës së gjatë, që nuk ndalet para lodhjes, sepse lajmi i fitores nuk mbahet për vete, por i çohet popullit.
Kryetari dhe Kryeministri, Albin Kurti, në adresimin e tij, shprehu mirënjohjen e thellë ndaj të gjithëve që kanë kontribuuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në avancimin e vizionit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për një Kosovë më të drejtë dhe më të zhvilluar.
‘’Është një detyrim historik ky që unë e kam ndaj jush, është një detyrim që ne e kemi ndaj gjithë kombit tonë shqiptar dhe ndaj Republikës sonë. Këtë detyrë do ta përmbushim e s’na ndal dot askush, sepse sytë, veshët, mendjen, zemrën, i kemi të përqendruar te synimi ynë më sublim, përparimi i kombit tonë’’, tha Kryeministri Kurti.
Ai po ashtu theksoi përpjekjet e shumta të Lëvizjes VETËVENDOSJE! duke ofruar propozime, zgjidhje e ftesa për bashkëpunim me opozitën që vendi të mos shkonte në zgjedhje të panevojshme, por të cilët janë zhytur thellë në një pozitë bllokuese.
‘’Lidhjes Demokratike të Kosovës i thamë ejani në bashkëqeverisje: zëvendëskryeministrin dhe katër ministri, që është dyfishi i asaj që ka Partia Guxo. Thanë jo. Atëherë edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe Partisë Demokratike të Kosovës ju thamë meqenëse e keni shumë hall që ne po i marrim tri pozitat e larta shtetërore, le ta bëjmë një rrokadë në kryesinë e Kuvendit, ku ju merrni kryetarin e Kuvendit, ndërkaq kryetarja jonë bëhet nënkryetare e nënkryetari juaj bëhet kryetar. Ose edhe kryetari i partisë le të bëhet kryetar, është çështje e tyre. Së pari, LDK-së, jo. PDK-së, po ashtu, jo’’, shtoi ai.
Në fund ai shtoi se në Kosovë shumica e di fort mirë të vërtetën dhe ajo është e lirë. Dhe nga kjo liri populli, shumica e votuesve, që e dinë të vërtetën e kanë 7 qershorin. Kjo e vërtetë edhe një herë do të kthehet në votë. Edhe një herë VETËVENDOSJE! do të dalë e para, edhe një herë VETËVENDOSJE! do të lëvizë përpara, më e madhe se e dyta dhe e treta së bashku. Edhe një herë do të bëjmë thirrje për opozitën që të bëhet konstruktive për shtetin dhe popullin tonë. Ata duan të na lodhin, por ne nuk lodhemi dot, sepse misioni ynë është pakrahasimisht më i rëndësishëm se çfarëdo lojërash të tyre. S

