BotaTop Lajme

Avioni përplaset me rrokaqiellin më të lartë të Pekinit (VIDEO)

Shpërndaje

Një avion i vogël u përplas me rrokaqiellin “China Zun”, ndërtesa më e lartë në distriktin Chaoyang të Pekinit, duke shkaktuar alarm tek autoritetet kineze. Aksidenti ndodhi pasditen e së premtes (26 qershor), rreth orës 18:00 me orën lokale.

Sipas raportimeve paraprake, avioni u shkatërrua plotësisht nga përplasja, ndërsa mbetjet e tij u shpërndanë në zonën përreth godinës. Nga impakti u dëmtuan edhe dy xhama të rrokaqiellit.

Pamjet që qarkullojnë në rrjet tregojnë copat e avionit duke rënë në tokë, ndërsa nga kati përdhes i ndërtesës ngrihej një re e dendur tymi.

Deri më tani nuk ka një bilanc zyrtar për viktimat, ndërsa autoritetet vijojnë operacionet dhe hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

Sipas mediave lokale, avioni ishte i tipit B-12PP. Piloti ishte nisur nga aeroporti Xifosi rreth 30 minuta para aksidentit dhe po përgatitej të kthehej për ulje, kur mjeti fluturues devijoi papritur nga trajektorja e planifikuar.

Ndërtesa “China Zun”, e cila ngrihet rreth 518 metra mbi tokë, u evakuua menjëherë pas incidentit. Sipas informacioneve paraprake, nuk raportohet për persona të lënduar brenda rrokaqiellit.

Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa pritet një njoftim zyrtar nga autoritetet kineze për bilancin dhe rrethanat e ngjarjes.