Costa: Shqipëria mund të mbyllë negociatat me BE-në deri në vitin 2027
Liderët e Bashkimit Evropian u mblodhën sot në Bruksel, në kuadër të samitit BE–Moldavi, ku u theksua përshpejtimi i procesit të zgjerimit të Unionit dhe afrimi gradual i vendeve kandidate, përfshirë Moldavinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, me fokus të veçantë Shqipërinë, sipas “EU Observer”.
Samiti u zhvillua si një vlerësim i progresit të Moldavisë në rrugën drejt integrimit evropian, veçanërisht në fushat e shtetit të së drejtës, të drejtave themelore dhe luftës kundër krimit të organizuar, si dhe në përafrimin e legjislacionit me “acquis” të BE-së (tërësia e ligjeve, rregullave dhe standardeve të Bashkimit Evropian).
Në këtë kontekst, presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit, duke theksuar se vendi po ecën me ritëm të shpejtë në negociatat me Bashkimin Evropian.
Costa rikujtoi se objektivi i Tiranës zyrtare, për të përmbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027 është “ambicioz, por i arritshëm”, nëse vazhdohet me ritmin aktual të reformave dhe përmbushjen e kritereve të kërkuara nga BE.
Sipas tij, procesi i zgjerimit duhet të përshpejtohet edhe për arsye gjeopolitike, duke pasur parasysh rëndësinë strategjike të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të negociatave, ku fokusi kryesor është zbatimi i reformave dhe përgatitja për mbylljen graduale të kapitujve të anëtarësimit.
Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nënvizoi se zgjerimi i BE-së mbetet një prioritet gjeostrategjik dhe se vendet kandidate që përmbushin kriteret, duhet të avancojnë më shpejt drejt integrimit, në përputhje me dinamikat e reja politike në Evropë.
Procesi i zgjerimit mbetet i kushtëzuar, jo vetëm nga përmbushja e standardeve evropiane, por edhe nga miratimi unanim i të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Në samitin e ardhshëm të Këshillit Evropian në tetor, pritet që të diskutohet sërish progresi i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe hapat e mëtejshëm në procesin e zgjerimit të BE-së, shkruan ATSh.
Deklaratat e António Costa-s dhe institucioneve të BE-së konfirmojnë se objektivi i vitit 2027 për Shqipërinë, mbetet i hapur dhe i kushtëzuar nga ritmi i reformave dhe vendimmarrja e vendeve anëtare të Unionit./botasot

