Durmishi: Pas më shumë se një dekade, investim i ri në Tetovë!
Ministria e Ekonomisë dhe Punës përshëndet fillimin e investimit të ri të kompanisë CAVO Otomotiv në Zonën Zhvillimore Teknologjike Industriale Tetovë, që paraqet kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në konfirmim shtesë i besimit të investitorëve të huaj në Maqedoninë e Veriut.
Investimi, i cili sipas paralajmërimeve do të arrijë vlerën prej 21 milionë eurosh, do të mundësojë hapjen e rreth 550 vendeve të reja të punës dhe do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të industrisë së automobilave, një nga sektorët më dinamikë dhe të orientuar drejt eksportit në botë.
Është veçanërisht e rëndësishme që ky investim realizohet në ZZHTI Tetovë, zona e vetme zhvillimore teknologjike-industriale në shtet që funksionon sipas modelit të partneritetit publiko-privat dhe që është në kompetencë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës. Ky model konfirmon edhe një herë se partneriteti midis shtetit dhe sektorit privat krijon kushte për realizimin e investimeve të mëdha që kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik lokal dhe kombëtar.
Kompania CAVO Otomotiv është kompani e njohur shumëkombëshe me përvojë prej disa dekadave në industrinë e automobilave dhe me kapacitete prodhuese në disa vende. Vendimi për të transferuar në Maqedoninë e Veriut një pjesë të prodhimit që momentalisht realizohet në Turqi dhe Sllovaki, është tregues i fortë i besimit në ekonominë vendore, fuqinë e kualifikuar punëtore dhe klimën e favorshme afariste.
Me rastin e publikimit të investimit, Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, theksoi se Qeveria dhe Ministria mbeten fuqishëm të përkushtuara në krijimin e kushteve për investime të reja dhe rritje të qëndrueshme ekonomike.
“Ky investim është edhe një konfirmim se Maqedonia e Veriut po bëhet një destinacion gjithnjë e më tërheqës për kompanitë që sjellin teknologji bashkëkohore, kapacitete të reja prodhuese dhe vende cilësore pune. Vendimi i CAVO Otomotiv për të investuar në Tetovë është sinjal i qartë se përpjekjet për të përmirësuar klimën afariste dhe për të krijuar mjedis të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm investuese po japin rezultate konkrete.
Si Ministri e Ekonomisë dhe Punës, mbetemi të përkushtuar në mbështetjen e investimet që krijojnë vlerë të shtuar, gjenerojnë eksport dhe hapin vende pune të paguara mirë. 550 vendet e reja të punës do të nënkuptojnë mundësi të reja punësimi, zhvillim profesional dhe përvetësim të njohurive dhe shkathtësive bashkëkohore. Qëllimi ynë është i qartë – më shumë investime, ekonomi më e fortë dhe standard më i mirë jetese për qytetarët”, deklaroi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Rezultatet që ZZHTI Tetovë tashmë i realizon e konfirmojnë në mënyrë plotësuese rëndësinë e zonës për zhvillimin ekonomik rajonal dhe kombëtar. Gjatë vitit 2025, kompanitë në zonë realizuan prodhim prej mbi 6,4 miliardë denarë, eksportuan produkte dhe shërbime prej pothuajse 9 miliardë denarë dhe siguruan punë për 1.845 persona.
Këta tregues e pozicionojnë ZZHTI Tetovë si shtytës të rëndësishëm të aktivitetit ekonomik në rajonin e Pollogut dhe kontribues të rëndësishëm në eksportin e Maqedonisë.
Ministria e Ekonomisë dhe Punës mbetet e përkushtuar në tërheqjen e investimeve të reja dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e investitorëve ekzistues, në mënyrë që të sigurojë rritje të vazhdueshme ekonomike, konkurrueshmërië më të madhe të ekonomisë vendore dhe standard më të mirë jetësor për qytetarët.
Ministri Durmishu falënderoi të gjitha institucionet e përfshira në procesin e realizimit të këtij investimi, si dhe kompaninë CAVO Otomotiv për besimin që ia tregon Maqedonisë së Veriut si destinacionin e saj të ri investues.
Postimi nga Durmishi:
✅21 milionë euro investim i jashtëm
✅550 vende të reja pune për Tetovën dhe Pollogun!
Sot shënuam një tjetër hap të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Investimi i ri i kompanisë ndërkombëtare Cavo Otomotiv në ZZHTI Tetovë është dëshmi e qartë se Maqedonia e Veriut po fiton besimin e investitorëve globalë. 🌍🤝
Ky investim nënkupton mundësi reale për punësim, zhvillim profesional dhe një të ardhme më të mirë për qindra familje. 👨👩👧👦📈
Si Ministër i Ekonomisë dhe Punës, mbetem i përkushtuar që të krijojmë kushte për investime të reja, ekonomi më të fortë dhe vende pune të mirëpaguara për qytetarët tanë.
Urime! 🫶

