KQZ: Rezultatet përfundimtare në pritje të procedurave të ankimimit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë së paku edhe 48 orë për t’i shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 7 qershor.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur për RTK-në, Valmir Elezi zëdhënës i KQZ-së, i cili ka konfirmuar se ky institucion është njoftuar me vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili i ka refuzuar ankesat e dy kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës për deputetë Qëndrim Kryeziu dhe Bekim Haxhiu për rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të PDK-së.
“Mund t’iu konfirmoj se KQZ është njoftuar me vendimet e PZAPI-it lidhur me 2 ankesat e paraqitura në këtë institucion. Ndaj këtyre vendimeve të PZAP-it, palët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve në Gjykatën Supreme, andaj KQZ do të presë që vendimet të marrin formën e prerë”, ka theksuar Elezi.
Sipas tij, pas plotfuqishmërisë së vendimeve, mbetet të shihet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në, për t’i zbatuar dhe pastaj për të proceduar me aktin e shpalljes së rezultateve përfundimtare.

