RajoniTop Lajme

Kryeministri në detyrë Kurti mori pjesë në hapjen e Forumit Ekonomik të Vjenës

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e “Vienna Economic Forum – Meet Kosovo in Vienna 2026”, që këtë vit mbahet nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe kancelarit të Republikës Federale të Austrisë, Christian Stocker.

Në nisje të fjalës së tij, në sesionin hapës “Rruga e Kosovës drejt integrimit ekonomik dhe rritjes”, kryeministri në detyrë Kurti shprehu falënderime dhe mirënjohje për miqësinë e kahmotshme dhe mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë ndaj Kosovës.

Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se partneriteti ndërmjet dy vendeve shkon përtej qeverive, sepse jeton nëpërmjet njerëzve. Në këtë kontekst, ai përmendi mërgatën e Kosovës në Austri, e cila kontribuon në shoqërinë austriake, forcon lidhjet ekonomike dhe shërben si urë lidhëse e gjallë ndërmjet dy shteteve.

Ai përmendi disa prej kompanive me pronarë nga mërgata në Austri, të cilët janë kthyer për të investuar, e po ashtu kompani austriake që kanë investuar në Kosovë. Ndërsa falënderoi kompanitë vendore pjesëmarrëse në Forumin Ekonomik të Vjenës.

Kryeministri në detyrë Kurti foli për integrimin ekonomik si strategji për rritje dhe mënyrën se si mund të ndërtohen kushtet për integrim kuptimplotë. Ai theksoi se integrimi ekonomik nuk bëhet vetëm nëpërmjet deklaratave, por nëpërmjet infrastrukturës, energjisë, rrjeteve digjitale, tregtisë dhe investimeve.

Teksa foli për rritjen e vazhdueshme ekonomike të viteve të fundit, rritjen e eksporteve si dhe atë të investimeve të huaja direkte, kryeministri në detyrë Kurti theksoi se Kosova është një nga vendet me performancën më të mirë të qeverisjes demokratike, transparencës dhe sundimit të ligjit në rajon.

Krahas afrimit me tregun evropian nëpërmjet lëvizjes së lirë të mundësuar nga liberalizimi i vizave për Zonën Shengen, ai tha se Kosova është pjesë e Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian dhe se po përgatitet që të bëhet pjesë e Zonës së Vetme të Pagesave në Euro – SEPA, e po ashtu e iniciativës “Roam Like at Home”, si veprime drejt integrimit në tregun evropian.

Në kontekst të masave për lehtësimin e integrimit ekonomik, kryeministri në detyrë Kurti foli për planet për ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore, për krijimin e rrjetit të brendshëm dhe për t’u lidhur me rajonin dhe Evropën.

Kryeministri në detyrë Kurti foli për ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme për dekada të tëra, ku krahas infrastrukturës dhe energjisë, investohet edhe në njerëz. Ndërsa, për kompanitë që konsiderojnë investime në Ballkanin Perëndimor, ai theksoi se Kosova ofron një kombinim bindës: tatimin prej 10% për korporatat, euron si valutë zyrtare, fuqi punëtore të re dhe në rritje, si dhe rrugë të qartë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, e cila mundëson parashikueshmëri në rregullativën që e kërkojnë investitorët afatgjatë.

Kryeministri në detyrë Kurti zhvilloi takim bilateral me kancelarin e Austrisë, Stocker

Në kuadër të vizitës zyrtare në Vjenë, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prit në takim bilateral nga kancelari i Republikës Federale të Austrisë, Christian Stocker.
Kryeministri në detyrë Kurti shprehu falënderime për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë ndaj Kosovës që nga vitet e ’90-ta, pastaj në shtet ndërtim dhe në rrugën evropiane, e po ashtu për kontributin në kuadër të KFOR-it.
Teksa vlerësoi mbështetjen e Austrisë ndaj Kosovës të shprehur në Komitetin e Ministrave, në Kishinau në maj të vitit 2026, kryeministri në detyrë Kurti theksoi se një nga prioritetet më të larta të Qeverisë së Republikës së Kosovës mbetet anëtarësimi në Këshillin e Evropës. Ai nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes nga Austria dhe rolit të saj në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Kryeministri në detyrë Kurti tha se mirëpret deklaratën e kancelarit Stocker në Tivat, se Bashkimi Evropian nuk është i plotë, i sigurt dhe i qëndrueshëm pa Ballkanin Perëndimor. Pasi tha se Republika e Kosovës është e përcaktuar, e angazhuar dhe e përkushtuar në rrugën e saj të anëtarësimit, kryeministri në detyrë Kurti foli për rëndësinë që BE-ja të përgjigjet me dhënien e statusit të shtetit kandidat dhe hapjen e negociatave.
Në takim u bisedua për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, me theks të veçantë bashkëpunimin ekonomik e tregtar, investimet dhe rolin e rëndësishëm të mërgatës, energjinë dhe transformimin digjital. Ndërsa, u diskutua edhe për sigurinë, mbrojtjen dhe bashkëpunimin rajonal.
Kryeministri në detyrë Kurti uroi Austrinë për zgjedhjen anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2027-2028, ndërkaq pranoi urime për fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.