Kurti paralajmëron diskutime për Qeverinë, Kuvendin dhe Presidentin
Për Qeverinë, Kuvendin dhe presidentin ka paralajmëruar diskutime kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ai ka thënë se këtë do ta bëjë sapo të përfundojë procesi zgjedhor. E ministri në detyrë, Elbert Krasniqi, ka theksuar se qeveria mund të formohet mes Vetëvendosjes dhe Grupit Multietnik. Ndërkohë ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me Vetëvendosjen
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se do të ketë diskutime për përfaqësues të partive të tjera, për funksionalizimin e tri institucioneve kryesore të shtetit.
Gjatë mbledhjes së qeverisë në detyrë, e para që është mbajtur me prezencë fizike që nga 7 qershori kur janë mbajtur zgjedhjet, Kurti tha se shtetin e presin shumë punë dhe se vullneti i popullit duhet të përkthehet në institucione funksionale.
“Porsa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve, do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja: konstituimin e legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit, formimin e Qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit apo presidentes”, ka thënë ai.
Partia të cilën e drejton Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar 53 vende në Kuvend. Bashkë me deputetët e komuniteteve, e pa përfshirë ata të Listës Serbe, mund ta konstituojë Kuvendin e edhe ta formojë Qeverinë. Ndërkaq, për presidentin, në dy raundet e para kërkohet pjesëmarrja në votim e së paku 80 deputetëve.
Pas mbledhjes së Qeverisë, ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se për formimin e qeverisë së re nuk ka nevojë për diskutime me partitë e tjera. Pasi, siç tha ai, mjaftojnë votat e grupit multietnik.
“Grupi multietnik që është i përbërë prej 8 ose 9 deputetëve janë të gatshëm dhe të interesuar që sa më parë, bashkë me fituesin e zgjedhjeve, të shkojnë dhe t’i formojnë institucionet e Republikës së Kosovës. Kështu që, kjo garanton një numër të mjaftueshëm për votimin e qeverisë së re të Republikës së Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka theksuar se rezultati i zgjedhjeve ka prodhuar një situatë të ngjashme me atë të zgjedhjeve të kaluara dhe se qytetarët presin që sa më shpejt të krijohen institucionet e reja.
Sipas Krasniqit, vendi ka nevojë për një qeveri të re, një kuvend funksional dhe zgjidhje të çështjes së zgjedhjes së presidentit.
“Qytetari ka folur dhe partitë politike tash duhet të reflektojnë edhe në raport me fjalën e qytetarit”, ka thënë ai.
E ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, deputet i zgjedhur për Legjislaturën njëmbëdhjetë, tha se e di planin e Kurtit, që sipas tij, është ta çojë vendin sërish në zgjedhje.
Ai ka theksuar se Kurti mund të ndalet vetëm me një bashkim të partive të tjera. Sipas tij, kjo mund të ndodhë me një kandidat të përbashkët për president, mes PDK-së, LDK-së dhe Aleancës.
“Përderisa nuk kemi, një kontratë edhe s’kemi një ofertë, ne jetojmë në epokën Kurti, në agjendën Kurti dhe ai do ta zbatojë atë që di më së miri, një lloj eksperimentimi me Kosovën e do të na dërgojë në zgjedhje prapë. Pra kjo është ajo që e di edhe ajo që po ndodh. Nga përvoja ime politike e gjatë unë po e lexoj këtë”, ka thënë Haradinaj. “Opozita mundet pra, me hy e me qenë faktor në marrjen e fatit të vendit në dorë, duke pasur një kontratë mes vete, edhe një kandidaturë për president. Nëse dikush nga opozita e merr mbështetjen e opozitës, gjithsesi që do ta mbështesja, nëse do të isha i propozuar (për president v.j.) do ta shqyrtoja. Pra, nuk jam kandidat, nuk kam kushte, nuk kam kërkesë për askënd”.
Ai ka mohuar çfarëdo mundësie bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Ne nuk bëhemi pjesë e qeverisjes ose vazhdimit të qeverisjes Kurti, se e kemi shpjeguar disa herë sa e dëmshme edhe sa humbje është për Kosovën. Po e thashë edhe një herë, përderisa VV nuk bie nën 40 për qind, do të jetojmë në epokën Kurti, në agjendën Kurti, në eksperimentin Kurti. Mundemi me e pengu këtë, mundemi me e ndryshu vetëm nëse bëhemi bashkë opozita”, ka theksuar Haradinaj.
E, Kurti, përgjegjësinë për zgjedhjet e parakohshme e ka gjuajtur tek partitë tjera.
“Kosova nuk kishte nevojë për këto zgjedhje dhe ky rezultat e dëshmon këtë, të cilën e kemi thënë e ripërsëritur, para se ato të ndodhnin. Sido që të jetë, qytetarët folën sërish qartë. Rezultati duhet të pranohet e respektohet dhe vullneti i popullit të zbatohet e të përkthehet në institucione funksionale e demokratike, të angazhuara e të përkushtuara për zhvillim e mirëqenie, arsim e shëndetësi, për siguri e mbrojtje, industri e prodhim, investime të mëdha infrastrukturore nga hekurudhat te digat, e jo vetëm”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Përpos PDK-së që ka marrë 22 deputetë dhe Aleancës 7, në Kuvend, nga partitë shqiptare, është edhe LDK-ja me 18 deputetë, e cila po kalon nëpër një përçarje të re.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën më 7 qershor, ndonëse numërimi ka përfunduar, rezultatet nuk janë certifikuar ende për shkak të disa ankesave lidhur me rinumërimin.

