Parlamenti Evropian miraton amendamentin për gjuhën shqipe në provimin e jurisprudencës në RMV
Parlamenti Evropian ka miratuar një amendament që trajton përdorimin e gjuhës shqipe në provimet shtetërore të jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut, duke i bërë thirrje autoriteteve të atjeshme që të zgjidhin sa më shpejt këtë çështje.
Në dokumentin e miratuar, eurodeputetët kërkojnë zbatimin e plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, si në aspektin ligjor ashtu edhe në praktikë, me qëllim garantimin e përdorimit të barabartë të gjuhës shqipe në proceset institucionale dhe akademike.
Gjithashtu, Parlamenti Evropian thekson se protestat e studentëve nuk duhet të paraqiten si faktor destabilizues apo si të motivuara politikisht, duke kërkuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut një qasje më të kujdesshme dhe të balancuar në trajtimin e tyre.
Sipas amendamentit të miratuar, institucionet vendore duhet të angazhohen për zgjidhjen e shpejtë të kësaj çështjeje, në përputhje me standardet evropiane për të drejtat gjuhësore dhe barazinë institucionale.


