Prof.Dr Kushtrim Ahmeti zgjidhet rektor i ri i Universitetit të Tetovës
Prof.Dr. Kushtrim Ahmeti ka fituar garën për Rektor të Universitetit të Tetovës. Sipas të dhënave, ai ka fituar 197 vota, duke siguruar kështu fitoren, kundrejt dy kandidatëve tjerë, Fehari Ramadanit i cila ka patur 119 vota dhe Rektorit aktual, Jusuf Zejneli, i cili ka marrë 22 vota. Në programin e tij, Ahmeti, ka premtuar se do të angazhohet për një Universitet më të fort, më të hapur, më të organizuar dhe më konkurrues.
Njoftimi nga Universiteti i Tetovës:
Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti u zgjodh Rektor i Universitetit të Tetovës
Me shumicën e votave të stafit akademik të 13 fakulteteve, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti është zgjedhur Rektor i Universitetit të Tetovës për mandatin trevjeçar 2026–2029.
Pas pranimit të rezultateve të votimit për zgjedhjen e Rektorit, të dorëzuara nga komisionet zgjedhore të njësive akademike, Komisioni Universitar i Zgjedhjeve bëri verifikimin dhe përmbledhjen e rezultateve për të gjitha njësitë e Universitetit të Tetovës.
Të drejtë vote kanë pasur gjithsej 355 anëtarë të këshillave mësimorë-shkencorë të fakulteteve. Në procesin e votimit morën pjesë 343 votues, përkatësisht 96.62%.
Kandidati Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti fitoi 197 vota, kandidati Prof. Dr. Fehari Ramadani mori 119 vota, ndërkaq kandidati Prof. Dr. Jusuf Zejneli 22 vota.
Në përputhje me procedurat e përcaktuara për zgjedhjen e Rektorit, kandidatët janë vlerësuar sipas sistemit të pikëve të fituara.
Rezultati përfundimtar sipas këtij sistemi është si në vijim:
Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, profesor ordinar në Fakultetin Filozofik, fitoi gjithsej 1627,677 pikë;
Prof. Dr. Fehari Ramdani profesor ordinar në Fakultetin Filozofik, fitoi gjithsej 843,915 pikë;
Prof. Dr. Jusuf Zejneli, profesor ordinar në Fakultetin Juridik, fitoi gjithsej 128,408 pikë.
Në pajtim me nenin 106, paragrafin 9, të Statutit të Universitetit të Tetovës, për mandatin trevjeçar 2026–2029, Rektor i Universitetit të Tetovës është zgjedhur Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, profesor ordinar në Fakultetin Filozofik, me numrin më të madh të pikëve të fituara në këtë proces zgjedhor.

