“Protesta para Kryeministrisë”, Rama i përgjigjet protestuesve: Të anuloj projektin?
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër përmes një reagimi të gjatë në rrjetin social X, pas protestës së dytë masive të zhvilluar nga qytetarët përpara godinës së Kryeministrisë në mbrojtje të Zvërnecit. Kreu i qeverisë i është drejtuar drejtpërdrejt organizatorëve dhe zërave kritikë, duke e cilësuar kauzën e tyre si një fushatë të mbushur me shpifje, manipulime dhe gënjeshtra të qëllimshme.
Në reagimin e tij, Rama ka sqaruar se kërkesa e protestuesve për të anuluar projektin është absurde, pasi sipas tij, aktualisht nuk ka ende një projekt përfundimtar për të anuluar. Ai zbuloi se mbi këtë ide po punojnë pesë nga studiot më prestigjioze të arkitekturës në botë dhe se çdo gjë do të bëhet publike në momentin e duhur.
“Nuk ka asnjë projekt për të anuluar”
Kryeministri sfidoi organizatorët që t’i paraqesin projektin që po kundërshtojnë, duke theksuar se ai po hartohet nga emra të mëdhenj të arkitekturës ndërkombëtare.
“Në rregull, pajtohem – më sillni projektin dhe ne do ta anulojmë! Por si është e mundur që nuk keni asgjë për të sjellë sepse nuk ka projekt?”, shprehet Rama, duke listuar studiot ndërkombëtare si Kengo Kuma, Bjarke Ingels, Jean Nouvel, Emre Arolat dhe K-Studio si autorët që po punojnë për këtë sipërmarrje.
Akuzat për manipulim dhe të vërtetat e investimit 4 miliardë euro
Rama akuzoi organizatorët se po keqpërdorin ndjenjat e qytetarëve të mirë që e duan natyrën, duke përhapur teori konspirative rreth një “pushtimi izraelit” apo shndërrimi të Zvërnecit në një “geto palestineze”. Ai sqaroi se bashkëinvestitorët në këtë projekt gjigant turistik prej 4 miliardë eurosh janë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Katari, specifikisht konglomerati “Power Holding” përmes kompanisë “Assets”.
Sipas kreut të qeverisë, kjo luftë politike synon ta mbajë Shqipërinë të gjunjëzuar dhe të dëmtojë imazhin e saj si një destinacion i “Ligës së Kampionëve” në turizmin mesdhetar. “E vërteta vonon, por nuk harron, dhe gënjeshtrat e tua kanë filluar që sot të pengohen në këmbët e tyre të shkurtra”, përfundon reagimi i tij.
Të anulloj projektin? Për këtë i thirrët në protestë njerëzit e mirë që ju erdhën pas edhe sot?
Dakord jam, ma sillni projektin dhe e anullojmë! Po si i bëhet që ju s’keni çfarë sillni sepse nuk ka projekt?
E dini pse nuk ka projekt?
Sepse projekti po punohet nga pesë…
— Edi Rama (@ediramaal) June 1, 2026

