Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup dhe universiteti i Tiranës zyrtarizojnë bashkëpunimin akademik
Në vazhdën e forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me Universitetin e Tiranës. Ky akt shënon një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërinstitucionale, duke hapur rrugë për projekte të përbashkëta akademike dhe kërkimore.
Në ceremoninë e nënshkrimit, të mbajtur në Tiranë, morën pjesë rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, dhe rektori i UT-së, Prof. Dr. Artan Hoxha. Ngjarja u nderua me praninë e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Shkup, Sh.T. Denion Meidani, i cili vlerësoi lart rëndësinë e këtij partneriteti për botën akademike shqiptare në rajon.
Memorandumi i nënshkruar parasheh një plan veprimi gjithëpërfshirës, i cili përfshin zhvillimin e kurrikulave studimore dhe kërkimore të ndërsjella, organizimin e konferencave, simpoziumeve dhe seminareve shkencore, si dhe shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve për rritjen e mobilitetit. Gjithashtu, një rol aktiv i është dhënë Parlamentit Studentor, përfaqësuesit e të cilit ishin pjesë e delegacionit, duke siguruar që zëri i studentëve të jetë pjesë integrale e zhvillimit institucional.
Rektori Fetaji ishte i shoqëruar nga kryetari i Kuvendit Studentor Universitar, Besar Sejdiu, sekretari, Jasir Memedin, si dhe Mr. Driton Zendeli.
Për UNT-në, ky bashkëpunim me Universitetin e Tiranës përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ekselencës akademike dhe inovacionit, duke forcuar pozicionin e universitetit si një urë lidhëse e dijes dhe vlerave evropiane në rajon.
Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup shpreh falënderimet më të sinqerta dhe mirënjohjen e thellë për Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Sh.T. Denion Meidani, për angazhimin e tij maksimal, përkushtimin e jashtëzakonshëm dhe mbështetjen e pakursyer në koordinimin dhe organizimin e suksesshëm të këtyre takimeve të nivelit të lartë zyrtar në Tiranë.

