RajoniTop Lajme

BE-ja përsërit keqardhjen për mosveprimin e Serbisë ndaj përgjegjësve për Banjskën

Shpërndaje

As pas daljes së dëshmive nëpër media se Milan Radoiçiq është i mbrojtur nga strukturat e lidhura me pushtetin në Serbi nuk ka pasur reagime konkrete nga ana e Bashkimit Evropian. Nga Komisioni Evropian nuk janë përgjigjur në mënyrë të drejtpërdrejtë në pyetjet rreth njoftimeve më të reja për Radoiçiqin, përgjegjësin kryesor për sulmin në Banjskë në vjeshtën e vitit 2023, i cili edhe nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së u quajt sulm terrorist. Nuk iu referuan as pyetjeve lidhur me deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se ai nuk e konsideron Radoiçiqin kriminel.

Krejt çka thanë nga BE-ja, përmes një përgjigjeje me shkrim nga zëdhënësi, është përsëritja e keqardhjes pse Serbia nuk ka bërë atë që duhet për t’i nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin në Banjskë.

“Siç është thënë qartë pas verdiktit në muajin prill në Kosovë për rastin Banjska, BE shpreh keqardhje pse Serbia akoma nuk ka ndërmarrë hapat e domosdoshëm për t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmet në veri të Kosovës në vitin 2023”, është thënë nga zëdhënësi i BE-së.

Radio Evropa e Lirë dhe N1 në Serbi kanë publikuar artikuj me fotografi ku shihen pjesëtarë të xhandarmërisë së Serbisë në shoqëri të Zvonko Veselinoviqit dhe që dyshohet se mbrojnë edhe Milan Radoiçiqin.

BE-ja ka kërkuar vazhdimisht nga autoritetet e Serbisë që të ndërmarrin masa për t’i nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për Banjskën, por nuk ka dashur ta sanksionojë konkretisht Serbinë, e cila jo vetëm që refuzon ta bëjë këtë, por u del në mbrojtje atyre. Për më tepër, Komisioni Evropian është duke bërë maksimumin që Serbia të shpërblehet dhe të hapë pas shumë vitesh kapituj në procesin e negociatave të anëtarësimit. Janë vetëm disa vende anëtare të cilat akoma insistojnë që të mos avancohet me negociatat me Serbinë për shkak të problemeve në sundimin e ligjit, por edhe në raportet me Kosovën./Koha.net