Marrëveshja e Erdoganit me Trump – Turqia shet sistemin rus S-400 dhe hap rrugën për aeroplanët F-35
Turqia është pranë arritjes së një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara, sipas së cilës sistemi rus i mbrojtjes ajrore S-400 do t’i shitet një shteti të Gjirit, duke i hapur kështu rrugën rikthimit të Ankarasë në programin e aeroplanëve luftarakë amerikanë F-35.
Sipas gazetës turke Hurriyet, Ankaraja mund ta njoftojë këtë vendim që sot. Ky veprim do të ishte pjesë e përpjekjeve për t’i bindur Shtetet e Bashkuara të heqin sanksionet e vendosura ndaj Turqisë për shkak të blerjes së sistemit rus S-400 në vitin 2019.
Blerja e S-400 çoi në përjashtimin e Turqisë nga programi F-35 dhe në vendosjen e sanksioneve amerikane në vitin 2020, pasi Uashingtoni vlerësoi se sistemi rus përbënte rrezik për sigurinë e teknologjisë së aeroplanëve F-35.

