Nisin punimet për rindërtimin e Sahat Kullës në Tetovë
Kreu i Tetovës, Bilall Kasami, së bashku me ministrin e Kulturës, Sedat Sulejmani, sot kanë informuar që kanë nisur punimet për ndërtimin e Sahat Kullës në Tetovë.
Postimi nga Kasami:
Sot shënuam fillimin e punimeve për ndërtimin e Kullës së Sahatit në Tetovë, një projekt që e rikthen në kujtesën e qytetit një simbol të rëndësishëm të historisë dhe trashëgimisë sonë kulturore.
Bashkë me ministrin e Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, dhe drejtorin e Qendrës Kombëtare të Konservimit, Aleksandar Jordanoski, hodhëm hapin e parë drejt realizimit të një vepre që do t’i japë kësaj pjese të Tetovës një pamje të re, pa ia humbur shpirtin e vjetër.
Qytetet nuk ndërtohen vetëm me rrugë dhe objekte. Ato ruhen edhe përmes kujtesës, simboleve dhe respektit ndaj historisë. Kulla e Sahatit do të jetë pikërisht një urë mes Tetovës së dikurshme dhe Tetovës që po ndërtojmë sot.
Postimi nga Sulejmani:
Sot, së bashku me kryetarin Bilall Kasami, dhe drejtorin e Qendrës Kombëtare të Konservimit, Aleksandar Jordanoski, shënuam fillimin e punimeve për ndërtimin e Kullës së Sahatit në Tetovë.
Po rikthejmë një simbol me rëndësi të veçantë për historinë, identitetin dhe trashëgiminë kulturore të qytetit.
Kulla e Sahatit do ta pasurojë pamjen urbane të Tetovës dhe njëkohësisht do të krijojë një lidhje mes së kaluarës së qytetit dhe zhvillimit të tij të ardhshëm.
Si Ministri e Kulturës dhe Turizmit, do të vazhdojmë të mbështesim projektet që ruajnë kujtesën kolektive, promovojnë trashëgiminë kulturore dhe u japin qyteteve tona më shumë vlerë dhe identitet.

