MaqedoniTop Lajme

BDI: Mbledhje e Kryesisë Qendrore, diskutim për zhvillimet politike dhe vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës

Shpërndaje

Sot, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, mbajti mbledhjen e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm, përkatësisht Kryesisë Qendrore të BDI-së, ku u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, si dhe për forcimin e kapaciteteve strukturore dhe organizative brenda Bashkimit Demokratik për Integrim.

Në fokus të veçantë të diskutimit ishte edhe vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, i datës 16 shtator 2026. Kryesia Qendrore vlerësoi se:

Në këto momente, kur vëmendja e shqiptarëve është e përqendruar te Haga dhe te vendimi ndaj pjestarëve të UÇK-së, është e rëndësishme të kujtojmë se si nisi ky proces, mbi çfarë pretendimesh u ngrit dhe çfarë mbeti prej tyre pas gjithë këtyre viteve.

Procesi që çoi drejt krijimit të Gjykatës Speciale mori shtysë nga raporti i Dick Marty-t dhe pretendimet e rënda për trafikim organesh. Por, pas gjithë këtyre viteve hetime dhe procesi gjyqësor, asnjë nga këto pretendime për të cilën edhe u formua kjo Gjykatë nuk u dëshmuan dhe në mungesë të fakteve u sajua një proces kundër Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Lufta e UÇK-së ishte luftë për çlirimin dhe lirinë e Kosovës. Historia e kësaj lufte dhe sakrifica e një populli për liri nuk mund të gjykohet në një proces të sajuar gjyqësor.

Protestat e organizuara pas shpalljes së aktgjykimit janë një formë legjitime e shprehjes qytetare në një shoqëri demokratike. Nuk ka shtet demokratik në botë dhe as kushtetutë demokratike që e ndalon të drejtën për të protestuar. Qytetarët kanë të drejtë të shprehin qëndrimet dhe pakënaqësinë e tyre përmes protestave paqësore dhe jo të dhunshme.

Të mos lejojmë që historia e luftës çlirimtare të Kosovës të tjetërsohet.