RajoniTop Lajme

Berisha: Në OKB nuk u shqiptua asnjë fjalë për Kosovën dhe UÇK-në

Shpërndaje

Sali Berisha ka zhvilluar një komunikim me mediat, ku ka komentuar fjalimin e kryeministrit shqiptar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe qëndrimin ndaj Kosovës.

Berisha e cilësoi fjalimin si “më të turpshmin” dhe kritikoi faktin që, sipas tij, gjatë fjalës në OKB nuk u përmendën Kosova, UÇK-ja apo ish-krerët e saj. “Tradhtia i ka zënë grykën”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së krahasoi këtë qëndrim me fjalimin e kryeministrit të Kroacisë, duke thënë se ky i fundit foli për zhvillimet në rajon, për Beogradin dhe situatën në Kosovë.

Berisha u ndal edhe te marrëdhëniet me Kosovën, duke kundërshtuar akuzat se Lëvizja Vetëvendosje është parti kundër Shqipërisë. Sipas tij, “nuk ka asnjë parti anti-Shqipëri në Kosovë”, ndërsa akuzoi qeverinë shqiptare se po e përdor Shqipërinë si mburojë politike.

Në vijim, Berisha kritikoi edhe deklaratat e bëra për Hashim Thaçin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai tha se SHBA-ja e ka mbështetur Kosovën dhe UÇK-në dhe vuri në pikëpyetje pretendimin se Amerika e ka “tradhtuar” Thaçin.

Në fund të komunikimit, Berisha deklaroi se pushteti aktual është drejt fundit dhe hodhi akuza për vendime antiligjore, tendera, prokurime dhe pasuri publike. Këto janë akuza dhe qëndrime të shprehura nga Berisha gjatë komunikimit të tij.

Sali Berisha: Fjala e Padrinos në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ishte fjala më e turpshme që është mbajtur ndonjëherë pas fjalimeve të ministrave të jashtëm të Shqipërisë apo atyre të Koresë së Veriut.

Nuk kemi pasur kurrë një përfaqësim kaq të turpshëm, ku kreu i narkoshtetit shqiptar, i fandaksur, i tmerruar nga protesta rinore, qytetare dhe skandalet e njëpasnjëshme, i kushtoi fjalën e tij algoritmit dhe tmerrit që ndjen nga algoritmi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Në këtë fjalim, në atë sallë e cila jo rastësisht, por në një akt përçmimi madhor ishte bosh gjatë fjalës së tij, Edi Rama nuk shqiptoi një herë të vetme fjalën Kosovë dhe fjalën UÇK apo lider të UÇK-së.

Tradhtia i ka zënë grykën. E ka mbërthyer për gryke dhe nuk e lejon më të shqiptojë një fjalë. Histori e turpshme. Në atë sallë, në një fjalim të shkëlqyer, kryeministri i vendit mik, Kroacisë, foli sikur të ishte kryeministri i Shqipërisë. Ai denoncoi veprimet e Beogradit, nderimet ushtarake që i bëhen monstrave të gjenocidit të Bosnjës, Ratko Mlladiç, përpjekjet destabilizuese të Beogradit në Kosovë dhe për probleme të tjera të rajonit.

Kurse për Edi Ramën, universi i tij ishte algoritmi, që në fakt i ka kallur tmerrin dhe datën në çdo qelizë të tij.
Por, me këtë rast, i ftoj edhe ata pak qytetarë të Kosovës që për jugosllavizmin e tyre, apo për të mbetur si relike, apo për enverizmin e tyre, vazhdojnë dhe bëjnë të mashtruarin nga Edi Rama.
Të gjithë ata që duan Kosovën, panë dhe kanë parë me dokumente, fakte të pakundërshtueshme se Edi Rama është një armik i egër i Kosovës, i demokracisë.

Miq, pas përpjekjeve për të rrëzuar qeverinë e Kosovës me Vlora Hysenin dhe të dërguarit e tij, ai po përhap tani në Shqipëri shpifjet më të ulëta me të cilat kërkon të paraqesë Lëvizjen Vetëvendosje si një parti kundra Shqipërisë.
Unë u them këtyre puthadorëve të Edi Ramës, që paguhen si shërbëtorë të tij dhe kalojnë nga një studio në një studio tjetër me një mashtrim të paskrupullt, në Kosovë e vërteta është se nuk ka asnjë parti anti-Shqipëri.