BotaTop Lajme

Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes: Lufta SHBA–Iran mund të zgjasë edhe gjashtë muaj

Shpërndaje

Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes dhe ish-drejtori i CIA-s, Leon Panetta, ka paralajmëruar se lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mund të vazhdojë edhe për gjashtë muaj, pa një zgjidhje të qartë.

Në një intervistë për The Guardian, Panetta tha se Uashingtoni dhe Teherani ndodhen në një ngërç të rrezikshëm, me shumë pak alternativa për përfundimin e konfliktit.

Sipas tij, ekziston rreziku që përplasja të shndërrohet në një tjetër “luftë pa fund” në Lindjen e Mesme, të ngjashme me konfliktet e gjata në Irak dhe Afganistan.

Panetta vlerëson se presidenti Donald Trump ka tri mundësi: të tërhiqet nga konflikti, ta vazhdojë situatën aktuale me sulme të herëpashershme, ose të ndërmarrë veprime për marrjen nën kontroll të Ngushticës së Hormuzit.

Ish-shefi i Pentagonit shprehu shqetësim edhe për trazirat brenda strukturave ushtarake amerikane, duke thënë se dorëheqjet dhe tensionet krijojnë përshtypjen se “askush nuk është në krye”.
Ai paralajmëroi se Kina, Rusia, Koreja e Veriut dhe grupet terroriste mund ta interpretojnë këtë situatë si shenjë dobësie të Shteteve të Bashkuara. Pentagoni i ka hedhur poshtë kritikat, duke deklaruar se institucioni funksionon normalisht nën drejtimin e sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Panetta ngriti shqetësime edhe për dislokimin e zgjatur të trupave amerikane, duke përmendur aeroplanmbajtësen “USS Abraham Lincoln”, e cila kaloi mbi 260 ditë në operacione pa vizituar një port.

Sipas tij, ushtarët nuk mund të mbahen pafundësisht në një zonë lufte pa plane të qarta për rotacion dhe mbështetje.