Kurti takon përfaqësuesit e Luginës, jep mesazhin e qartë për mbështetjen e shqiptarëve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në Zyrën e Kryeministrit përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, në ditën e dytë të punës së tij pas rizgjedhjes në krye të Qeverisë.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se në takim kanë marrë pjesë përfaqësues të disa subjekteve politike shqiptare nga Lugina e Preshevës, si dhe drejtues institucionalë të komunave dhe të Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Postimi:
Në ditën e dytë të punës si Kryeministër i rizgjedhur, sonte prita në Zyrën e Kryeministrit përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Në takim morën pjesë Shaip Kamberi nga PVD-ja, Visar Memeti nga APN-ja, Shqiprim Musliu nga LPD-ja, Sami Salihu nga LR, Armend Aliu nga AL-ja, Sali Salihu nga PD-ja, si dhe Agim Sabedini dhe PDSH-ja. Të pranishëm ishin edhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, dhe Arben Ferati nga Medvegja.
Takimi ishte një mundësi për të dëgjuar qëndrimet e tyre dhe për të diskutuar mbi sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginë, si dhe rëndësinë e bashkërendimit politik për mbrojtjen e të drejtave dhe forcimin e përfaqësimit të tyre, në veçanti të përfaqësimit parlamentar.
Shqiptarët e Luginës kanë nevojë për bashkëpunim e përgjegjësi të përbashkët. Dallimet partiake janë pjesë e demokracisë, por interesi i qytetarëve duhet të jetë pikëtakimi i angazhimit të të gjithëve.
Për Qeverinë e Republikës së Kosovës, mbështetja për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës mbetet zotim i vazhdueshëm. Do të jemi pranë tyre në mbrojtjen e të drejtave, ruajtjen e identitetit dhe përmirësimin e jetës së përditshme.

