Lazim Destani: Kosova sot ka nevojë për bashkim, në momente të tilla duhet të qëndrojmë bashkë
Biznesmeni dhe filantropi shqiptar Lazim Destani ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shprehur zhgënjimin e tij të thellë dhe duke bërë thirrje për unitet politik e shoqëror në Kosovë, transmeton albazone media.
Në reagimin e tij, Destani thekson rëndësinë historike të UÇK-së dhe sakrificën për lirinë e Kosovës, ndërsa apelon që procesi i apelit të trajtojë me drejtësi dhe përgjegjësi të plotë të gjitha faktet dhe argumentet. Ai u bën thirrje forcave politike që të lënë mënjanë përplasjet partiake dhe të bashkohen rreth çështjeve me rëndësi për vendin.
Reagimi i plotë:
Sot jam thellësisht i zhgënjyer nga vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së.
Është e vështirë të përshkruhet me fjalë ndjenja që kemi në një ditë si kjo. Emri i UÇK-së është i lidhur me një periudhë vendimtare të historisë së Kosovës, me luftën për liri, me sakrificën dhe me shpresën që një ditë fëmijët tanë të rriteshin të lirë në vendin e tyre.
Besojmë dhe shpresojmë se në procesin e apelit çdo fakt, argument dhe rrethanë do të shqyrtohet me drejtësi dhe përgjegjësi të plotë.
Sot dua të bëj një apel që shkon përtej çdo partie dhe çdo dallimi politik.
Kosova sot ka nevojë për bashkim.
U bëj thirrje të gjitha forcave politike që, të paktën në momente të këtilla, t’i lënë mënjanë përplasjet dhe interesat partiake dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët për çështjet që prekin vendin.
Dhe kur është në pyetje Kosova, duhet të dimë të qëndrojmë bashkë.

