Afrim Gashi pret Albulena Haxhiun në Shkup: Riafirmohet bashkëpunimi dhe partneriteti mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka pritur në Shkup kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në kuadër të vizitës së saj të parë zyrtare jashtë vendit në këtë detyrë.
Gashi e ka vlerësuar këtë vizitë si një dëshmi të miqësisë së sinqertë ndërmjet dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit parlamentar, forcimit të partneritetit dhe mbështetjes së Kosovës në proceset e saj integruese evropiane dhe ndërkombëtare.
Postimi nga GASHI:
Kënaqësi e veçantë të mirëpres në Shkup Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Sh.S. Albulena Haxhiun, në vizitën e saj të parë zyrtare jashtë vendit në këtë cilësi. Këtë e vlerësoj si një mesazh të miqësisë së sinqertë që lidh dy vendet tona.
Riafirmuam përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve, veçanërisht përmes grupeve të bashkëpunimit, shkëmbimit të përvojave, si dhe forcimit të fqinjësisë së mirë dhe partneritetit në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
Maqedonia e Veriut do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në anëtarësimin në organizatat shumëpalëshe. Gjithashtu, shprehëm gatishmërinë për të bashkëpunuar në zbatimin e reformave dhe avancimin e agjendës evropiane të rajonit.
Duke i uruar mirëseardhje në Shkup, shpreha dëshirën që kjo vizitë t’u japë një shtysë të re marrëdhënieve miqësore dhe vëllazërore ndërmjet dy vendeve tona.

