Ali Ahmeti uron Justina Shiroka-Pulën: Stabiliteti institucional dhe interesi shtetëror mbi atë partiak
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës. Në një reagim pas zhvillimeve politike në Kosovë, Ahmeti ka vlerësuar arritjen e një zgjidhjeje institucionale, duke e cilësuar atë si dëshmi të pjekurisë politike dhe përgjegjësisë shtetërore të autoriteteve të Kosovës.
Reagimi i plotë i Ahmetit:
Me një vëmendje të veçantë, sonte përcolla pjekurinë politike dhe përgjegjësinë e lartë shtetërore të autoriteteve politike të Kosovës, të cilat arritën të gjejnë zgjidhje për krizën politike, duke shmangur zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare dhe duke zgjedhur në krye të shtetit Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula, Kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Stabiliteti institucional, përqendrimi te zgjidhjet që i ofrojnë të ardhme më të mirë qytetarëve dhe vendosja e interesit shtetëror e qytetar mbi atë partiak duhet të jenë gjithmonë udhërrëfyes për autoritetet politike të Republikës së Kosovës, shtetit më të ri të Evropës, të krijuar mbi sakrificën dhe gjakun e bijve më të mirë të kombit. Mos të harrojmë se lirinë e kemi fituar me gjak, çlirimin me aleatë!
Presidente Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula, urime për përgjegjësinë e re dhe detyrën e lartë shtetërore! Ju uroj shumë sukses, urtësi dhe arritje në ushtrimin e këtij misioni të rëndësishëm në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Urime, Republikë e Kosovës! Të gëzohemi bashkë me sukseset tuaja dhe të ecim përpara me stabilitet, unitet dhe përgjegjësi për të ardhmen e brezave të rinj.

