Arrestohet shefi i drejtorisë së policisë kriminale, Marko Kriçak dyshohet për fabrikim provash
Shefi i Drejtorisë së Policisë Kriminale Marko Kriçak u arrestua sot me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, për shkak të dyshimeve se ka keqpërdorur detyrën zyrtare, pas një kallëzimi penal të paraqitur nga avokati i ndihmës-drejtorit të policisë, Veselin Miliq.
Kriçak drejtoi operacionin policor pas vrasjes së Aleksandar Neshoviq -Baja, në restorantin “27” në lagjen Senjak. Ai tani dyshohet se ka fabrikuar prova në atë rast dhe ka ushtruar presion mbi dëshmitarët dhe të akuzuarit, me qëllim që faktet të përshtateshin me një narrativë të ndërtuar paraprakisht për ngjarjet, raporton KosovaPress.
Kriçak u emërua shef i ri i Drejtorisë së Policisë Kriminale në fund të dhjetorit 2025. Më parë, ai shërbeu si komandant i Njësisë për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve të Caktuara (JZO). Ai kaloi në Ministrinë e Punëve të Brendshme nga Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit (BIA).
Shumë politikanë të opozitës vunë në dukje se Kriçak nuk kishte përfunduar trajnimin për oficerë policie dhe se, para punësimit në BIA, ai kishte punuar si shitës makinash – pretendime këto që MUP-i i ka mohuar.
Që kur Kriçak mori komandën e JZO-së, kjo njësi është shoqëruar me brutalitet policor, vetë pjesëtarë të MUP-it e kanë përshkruar atë si një “polici brenda policisë”. Kriçak është lidhur gjithashtu me një regjistrim video që shfaq keqtrajtimin fizik dhe marrjen në pyetje me dhunë të një studenti, i cili ishte ndaluar gjatë një proteste në Jagodinë.
Pavarësisht gjithçka, Kriçak është emëruar në një nga pozitat drejtuese më të rëndësishme brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme, një rol me rëndësi të veçantë për sa i përket çështjeve të operimit.
Nën juridiksionin e tij tani do të jetë Shërbimi për Luftimin e Krimit të Organizuar (SBPOK), i cili punon në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë për Krimin e Organizuar.
Edhe pse përballet me akuza të shumta, Kriçak mbetet një nga oficerët e policisë të preferuar të Aleksandar Vuçiq, i cili më parë ka dekoruar Kriçak dhe njësinë e tij (tani ish-njësinë e tij), dhe nuk ka hezituar ta lavdërojë publikisht në disa raste.

