MaqedoniTop Lajme

Delegacioni i “Venecias” zbarkoi në Shkup, takime për modelin e ri të provimit të jurisprudencës

Shpërndaje

Delegacioni i Komisionit të Venecias prej mëngjesit ka filluar takimet në Shkup, me përfaqësues të institucioneve për të mbledhur qëndrimet lidhur me modelin e ri të provimit të jurisprudencës e cila parashikon që teoria të jepet në shqip, ndërsa praktika në maqedonisht. Pas mbledhjes në Zyrën e Këshillit të Evropës në Shkup, delegacioni është takuar me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski, ndërsa më pas me Avokatin e Popullit dhe përfaqësuesin e Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi.

Takimi mbase më i rëndësishëm është në Ministrinë e Drejtësisë, ku krahas ministrit Jeton Shasivari, morën pjesë edhe kryetari dhe anëtarët e Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës. Ministria e Drejtësisë njoftoi se Shasivari në takim ka sqaruar bazën kushtetuese dhe ligjore të iniciativës, argumentimin juridik të modelit të propozuar, si dhe procesin konsultativ të zhvilluar me përfaqësuesit e fakulteteve juridike, dekanët dhe organizatat studentore.

“Ministri Shasivari theksoi se qëllimi kryesor i zgjidhjes së propozuar është sigurimi i qasjes së barabartë në provimin e jurisprudencës për të gjithë kandidatët, pa vënë në pikëpyetje kriteret profesionale, cilësinë dhe integritetin e provimit. Shasivari, potencoi se kërkesa për mendim nga Komisioni i Venecias përbën iniciativë për marrjen e vlerësimit juridik të pavarur, objektiv dhe profesional, me qëllim që të sigurohet një zgjidhje që do të jetë kushtetuese, juridikisht e qëndrueshme dhe e harmonizuar me standardet evropiane”, njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë.

Krahas tyre delegacioni ka realizuar takime edhe me profesorë, studentë, por edhe organizata civile.

Takime të ngjeshura do të ketë edhe nesër. Fillimisht do të takohen me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, koordinatorët e shumicës parlamentare VMRO-VLEN-ZNAM, por edhe të opozitës LSDM, BDI dhe E Majta.

Më pas, do të mbajnë takime me përfaqësuesit e Inspektoratit të Gjuhëve dhe Agjencisë së Gjuhës, por edhe me të Inspektoratit dhe Institutit të Gjuhës Maqedonase. Pastaj do të realizojnë me Këshillin Gjyqësor dhe të Prokurorëve, Odën e Avokatëve, Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe Misionit të OSBE-së në Shkup.

Takimet realizohen para seancës së mbledhjes së 11 dhe 12 dhjetorit të Komisionit të Venecias, në të cilën do të miratohet mendimi për modelin e ri të provimit të jurisprudencës. /Alsat.mk.

Njftomi edhe nga Ministri Shasivari:

TAKIM KONSTRUKTIV ME RAPORTUESIT E KOMISIONIT TË VENECIAS-DREJT NJË ZGJIDHJEJE LIGJORE, TË QËNDRUESHME DHE NË PËRPUTHJE ME STANDARDET EVROPIANE
Sot, në cilësinë e Ministrit të Drejtësisë, zhvillova një takim pune me raportuesit e Komisionit të Venecias, në kuadër të kërkesës për dhënien e një mendimi lidhur me modelin e propozuar për organizimin dhe mbajtjen e provimit të jurisprudencës.
Në takim morën pjesë edhe kryetari dhe anëtarët e Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës, të cilët prezantuan dhe demonstruan praktikisht mënyrën e organizimit dhe zhvillimit të provimit. Kjo u mundësoi raportuesve të njihen nga afër me procedurat dhe funksionimin konkret të modelit të propozuar.
Gjatë takimit prezantova bazën kushtetuese dhe ligjore të nismës, arsyetimin juridik të modelit, si dhe procesin e gjerë konsultativ të zhvilluar me përfaqësues të fakulteteve juridike, dekanë dhe organizata studentore.
Theksova se qëllimi ynë është i qartë: garantimi i qasjes së barabartë në provimin e jurisprudencës, duke ruajtur standardet e njëjta profesionale, cilësinë dhe integritetin e provimit.
Kërkesa jonë drejtuar Komisionit të Venecias nuk është kërkesë për konfirmim politik, por për një vlerësim të pavarur, objektiv dhe profesional, i cili do të kontribuojë në ndërtimin e një zgjidhjeje juridikisht të qëndrueshme, kushtetuese dhe në përputhje me standardet evropiane.
Vlerësojmë lart ekspertizën e Komisionit të Venecias dhe mbetemi të hapur për rekomandimet dhe sugjerimet e tij, me bindjen se dialogu institucional dhe ekspertiza juridike janë rruga e duhur drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme.
Për ne, kjo çështje nuk është garë politike, por çështje e barazisë para ligjit, e mundësive të barabarta dhe e respektimit të standardeve profesionale.
Angazhimi ynë mbetet i qartë: të drejtat të mos mbeten vetëm parime të shkruara, por të përkthehen në zgjidhje konkrete, të zbatueshme dhe juridikisht të qëndrueshme.