BotaTop Lajme

Gjykata federale bllokon planin e Trump për rinovimin e fushës historike të golfit në Uashington

Shpërndaje

Një gjykatëse federale në SHBA ka urdhëruar pezullimin e përkohshëm të çdo punimi në një fushë historike publike golfi në Uashington, duke i dhënë një tjetër goditje ligjore planit të presidentit Donald Trump për ta shndërruar atë në një fushë të nivelit kampionat, bën të ditur theGuardian.

Në një vendim prej 30 faqesh, gjyqtarja e distriktit amerikan, Ana Reyes, bllokoi përkohësisht qeverinë federale që të procedonte me planin që parashikonte mbylljen e Parkut East Potomac këtë të diel.

Më 18 tetor, Trump deklaroi në rrjetet sociale se mbyllja do të zgjaste 15 muaj, me synimin për ta transformuar këtë hapësirë në “një nga fushat më të mira dhe më spektakolare të golfit kudo në botë”.

Megjithatë, gjyqtarja Reyes vendosi se arsyet e paraqitura nga administrata Trump për mbylljen e parkut ishin “pretekstuale” dhe se qeveria kishte shkelur të paktën dy ligje federale “për të përmbushur një afat arbitrar”.

“Qeveria propozon të mbyllë për një kohë të pacaktuar një park historik, të cilin e shijojnë çdo ditë banorët e Uashingtonit të të gjitha shtresave”, shkroi Reyes në vendimin e saj.

Paditësit argumentojnë se projekti i Trump do të ndryshonte rrënjësisht karakterin publik të fushës dhe do ta bënte atë financiarisht të papërballueshme për qytetarët e thjeshtë, një pretendim që presidenti e mohon.

Ndonëse gjyqtarja urdhëroi që parku i ndodhur pranë Memorialit të Jefferson, rreth 3 kilometra në jug të Shtëpisë së Bardhë të mbetet i hapur, ajo saktësoi se administrata nuk është e detyruar të mbajë aktive operacionet e golfit, por “nuk mund ta përdorë këtë si pretekst për të përjashtuar publikun”.

Vendimi i gjyqtares Reyes, e emëruar në detyrë nga ish-presidenti Joe Biden dhe të cilën Trump e ka sulmuar publikisht duke e quajtur “të çmendur”, është rasti më i fundit ku gjyqësori federal ndalon përpjekjet e presidentit për të ridizajnuar kryeqytetin amerikan përmes projekteve madhore ndërtimore.

Më herët, në gjykata janë bllokuar ose kundërshtuar edhe planet e tij për ndërtimin e një salle të madhe vallëzimi në Shtëpinë e Bardhë, vendosjen e emrit të tij në Qendrën Kennedy dhe ngritjen e një harku gjigant.

Padia u ngrit nga Lidhja e Ruajtjes së Qarkut të Uashingtonit, një organizatë për mbrojtjen e trashëgimisë historike, e cila e akuzon administratën për shkelje të statuteve federale.

Më herët, kjo organizatë kishte fituar një tjetër urdhër ndalimi nga Reyes, që i ndalonte Shërbimit të Parqeve Kombëtare prerjen e pemëve apo kryerjen e modifikimeve të pakthyeshme pa njoftim paraprak.

Catherine Carroll, këshilltare e lartë ligjore në organizatën Democracy Forëard që përfaqëson paditësit, e përshëndeti vendimin: “Përpjekja e pashpjegueshme e administratës për të shkatërruar Parkun East Potomac do të kishte zhdukur një park të çmuar që nuk mund të zëvendësohej kurrë.”

Procesi gjyqësor është shoqëruar me tensione të larta mes gjyqtares Reyes dhe avokatëve të Departamentit të Drejtësisë. Muajin e kaluar, Reyes deklaroi se prerja e qindra pemëve nga qeveria pa njoftuar palën paditëse “i ka kushtuar qeverisë të gjithë besueshmërinë e saj” në këtë çështje.

Gjithashtu, gjyqtarja ka urdhëruar hapjen e një hetimi etik dhe emërimin e një mbikëqyrësi të posaçëm për të përcaktuar nëse avokatët e qeverisë e kanë mashtruar qëllimisht gjykatën lidhur me afatet kohore të mbylljes së parkut.

Nga ana tjetër, Departamenti i Drejtësisë e ka akuzuar Reyes për tejkalim të kompetencave dhe kërkoi përjashtimin e saj nga çështja, kërkesë e cila u rrëzua.

Aktualisht, Parku East Potomac përmban tre fusha golfi me gjithsej 36 vrima, një fushë minigolfi dhe një pistë të shtruar mjaft të frekuentuar nga vrapuesit dhe çiklistët.

Plani i Trump, i cili zotëron resorte golfi në mbarë botën, synon ta kthejë zonën në një fushë të vetme kampionati me 18 vrima, të aftë për të pritur turne të nivelit botëror si US Open dhe Ryder Cup.