Kërcënimet me bomba trazojnë Evropën, preken fluturime dhe mijëra shkolla
Autoritetet në disa vende evropiane po kërkojnë të zbulojnë kush qëndron pas një vale të paprecedentë mesazhesh kërcënuese për bomba, e cila ka shkaktuar kaos në aeroporte, shkolla dhe media.
Alarmet kanë prekur më shumë se 50 fluturime, mijëra shkolla kanë marrë email-e kërcënuese dhe në incidente është përfshirë të paktën një anije turistike. Deri tani, të gjitha kërcënimet kanë rezultuar të rreme.
Sipas CNN, mesazhet janë shpërndarë kryesisht me postë elektronike, duke vënë në provë sistemet e sigurisë në disa shtete të Evropës. Kur kërcënimet kanë pasur si objektiv avionë pasagjerësh, autoritetet kanë reaguar menjëherë dhe kanë devijuar fluturime në aeroporte të tjera. Në Hungari dhe Francë, avionë luftarakë janë ngritur për të shoqëruar avionët e kërcënuar.
Italia është ndër vendet më të goditura. Të mërkurën, rreth 6,300 shkolla morën mesazhe kërcënuese, ndërsa të enjten në alarm u vunë edhe 3,778 të tjera. Qindra institucione u evakuuan, por në shumë prej tyre mësimi vazhdoi normalisht.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, u kërkoi prindërve të qëndrojnë të qetë dhe hodhi idenë e rishikimit të protokolleve të evakuimit. Sipas saj, një email kërcënues i dërguar në masë nuk duhet të çojë vetvetiu në mbylljen e një shkolle, në mungesë të provave konkrete për rrezik real.
Kërcënime të ngjashme mbërritën edhe në shkolla të Skocisë, Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës. Në Britaninë e Madhe, aeroportet Heathrow dhe Birmingham nuk e ndërprenë punën pas marrjes së mesazheve, pasi autoritetet i gjykuan ato të pabesueshme.
Shtrirja e incidenteve ka shtuar kërkesat për një përgjigje të koordinuar në nivel evropian. József Váradi, drejtori ekzekutiv i kompanisë ajrore Wizz Air, bëri thirrje për unifikimin e procedurave të sigurisë dhe propozoi një strukturë qendrore që të merret me raste të tilla. Ai tha se për këtë çështje kishte biseduar edhe me përfaqësues të Komisionit Evropian.
Sipas ekspertëve, dallimet në mënyrën si reagojnë shtetet pengojnë shkëmbimin e informacionit dhe gjetjen e autorëve. Grégoire Roos, nga instituti Chatham House, vlerëson se Europol, policitë kombëtare dhe autoritetet e aviacionit duhet të punojnë më ngushtë së bashku, të krahasojnë provat teknike dhe të verifikojnë nëse mesazhet vijnë nga i njëjti burim.
Gjurmimi i përgjegjësve vështirësohet edhe sepse shumë mesazhe janë nisur nga llogari të ligjshme emaili, për të cilat dyshohet se janë marrë nën kontroll pa autorizim. Përdorimin e këtyre llogarive e kanë identifikuar kompanitë e sigurisë kibernetike Proofpoint dhe Abnormal Security.
Hetuesit po shqyrtojnë edhe nëse bëhet fjalë për një fushatë të luftës hibride, me synim përhapjen e pasigurisë dhe dobësimin e besimit të qytetarëve tek institucionet evropiane. Dyshimet janë drejtuar edhe nga Rusia, të cilën vendet perëndimore e kanë akuzuar më parë për sulme kibernetike, sabotime dhe dezinformim.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha megjithatë se ende nuk ka prova të mjaftueshme për t’ia veshur kërcënimet një fuqie të huaj. Ai kërkoi të shmangen përfundimet e nxituara, ndërsa ekspertët kujtojnë se pas mesazheve mund të qëndrojnë edhe individë ose grupe joqeveritare.
Autoritetet evropiane përballen kështu me detyrën për të dalluar rreziqet e vërteta, pa lejuar që kërcënimet anonime të ndërpresin vazhdimisht transportin dhe shërbimet publike në mbarë kontinentin.

