Në prag të 28 Nëntorit, përfundon shkolla e re në Vlorë që mban emrin e Marigosë, simbolit të flamurit të Pavarësisë!
Pak ditë para festës së Pavarësisë, Vlora bëhet gati të mirëpresë një tjetër institucion të ri arsimor. Kanë përfunduar punimet për shkollën “Marigo Posio”, e cila pritet të hapë dyert për nxënësit dhe mësuesit pas përfundimit të procesit të mobilimit.
Shkolla mban emrin e Marigo Posios, atdhetares shqiptare që njihet për kontributin e saj në historinë kombëtare dhe veçanërisht për qëndisjen e flamurit shqiptar të ngritur nga Ismail Qemali më 28 nëntor 1912, në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë.
Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar për përfundimin e punimeve dhe përgatitjet e fundit për vënien në funksion të shkollës.
Krahas klasave të pajisura me kushte bashkëkohore, institucioni i ri arsimor përfshin edhe një palestër dhe ambiente të tjera sportive, duke krijuar më shumë mundësi për zhvillimin e aktiviteteve mësimore dhe fizike të fëmijëve.

