Sofja reagon për numrin e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut
Maqedonia e Veriut do të mbetet pjesë e Ballkanit Perëndimor nëse nuk ua mundëson qytetarëve që jetojnë në këtë vend, që lirshëm të shprehin identitetin e tyre kombëtar, ka deklaruar Slavi Trifonov, kryetar i partisë parlamentare bullgare “Ka një popull të tillë”, duke komentuar rezultatet e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut, raporton REL.
Sipas rezultateve të publikuara të mërkurën, 30 mars, nga Enti Shtetëror i Statistikës, në Maqedoninë e Veriut jetojnë rreth 3,500 bullgarë.
Në një reagim në Facebook, Slavi Trifunov, partia e të cilit është pjesë e Qeverisë së Bullgarisë tha se është e absurde të mendohet se kaq bullgarë jetojnë në Maqedoninë e Veriut, kur sipas tij, vetëm në dy vitet e fundit, 16.692 qytetarë të Maqedonisë së Veriut kanë marrë pasaporta bullgare.
“Sipas ligjeve bullgare, që një shtetas i Maqedonisë së Veriut të marrë pasaportën bullgare, ai duhet të vërtetojë rrënjët e tij bullgare. Kështu, mbi 100.000 qytetarë të Maqedonisë së Veriut i kanë vërtetuar rrënjët e tyre bullgare në Bullgari, por në Maqedoninë e Veriut ata kanë frikë të quhen ‘bullgarë’. Pse në një vend normal evropian, ku pretendon të anëtarësohet Maqedonia e Veriut, një person do të kishte frikë të thotë se çfarë është? Ky nuk është një vend normal evropian”, ka shkruar Trifonov.
“Nëse Maqedonia e Veriut dëshiron të jetë një vend normal, evropian dhe të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, atëherë qytetarët e saj do të duhet të deklarojnë lirshëm përkatësinë e tyre dhe të drejtat e tyre nuk duhet të shkelen. Derisa kjo të ndodhë, Maqedonia e Veriut do të jetë pjesë e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Trifonov, kryetar i partisë parlamentare bullgare “Ka një popull të tillë”.
Reagimi i tij vjen një ditë para se në Shkup të takohen grupet e ekspertëve të të dyja vendeve për të diskutuar lidhur me dallimet për të kaluarën historike.
Sofja, në nëntor të vitit 2020 ka bllokuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut, duke e kushtëzuar zgjidhjen kontestit për identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase.