Njësia Speciale Operative dhe KFOR dalin në veri, pas sulmit ndaj Policisë
Pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, përkatësisht në Zubin Potok, në vendin e ngjarjes ka dalë mënjëherë Njësia Speciale Operative.
Rruga drejt vendit të sulmit vazhdon të jetë e mbyllur, kjo pasi Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës, KFOR-i dhe hetuesit ishin duke i hetuar rrethanat e sulmit.
Ndryshe, Policia e Kosovës sërish është bërë pre e sulmeve në Zubin Potok, të martën e 26 prillit.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili ka thënë se nga sulmi me armë zjarri drejt njësitit kufitar nuk ka të lënduar.
“Sot në orët e hershme të mëngjesit, konfirmojmë se është sulmuar një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cilat kanë njoftuar se njësiti kufitar janë sulmuar me armë zjarri. Përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar”, ka njoftuar Kelani.
Ai ka theksuar se Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin, përderisa ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve.