Qeveria: Ministria e Vetëqeverisjes Lokale nuk ka pranuar njoftim zyrtar nga Kasami për shpërbërjen e këshillit
Qeveria e RMV-së për Portalb.mk konfirmoi se deri më sot Ministria e Vetëqeverisjes Lokale nuk ka pranuar njoftim zyrtar nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami për rastin e shpërbërjes së këshillit të Komunës së Tetovës, ndërkaq dje Kasami tha se e ka njoftuar Ministrinë e Pushtetit Lokal për rastin në fjalë.
“Ministria e Vetëqeverisjes Lokale deri më sot nuk ka pranuar njoftim zyrtar nga kryetari i komunës së Tetovës për plotësimin e kushtit për shpërbërjen e Këshillit. Me marrjen e njoftimit, në pajtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, ministria në afat prej 7 ditësh e njofton Qeverinë me propozim për shpërbërje, pas së cilës Qeveria miraton vendim për shpërbërjen e Këshillit brenda një muaji”, thanë nga Qeveria e RMV-së.
Kasami dje tha se e ka njoftuar Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale për zhvillimet e fundit dhe se ata do vendosin se çka më tutje me fatin e këshillit të komunës.
“Pas zhvillimeve të fundit, pas situatës me llogarinë përfundimtare unë veç më e kam informuar Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe ata janë përgjegjës për procedimin e mëtutjeshëm dhe vendimet se çka me këshillin komunal të Tetovës”, tha dje Kasami.
Çfarë ka ndodhur?
Këshilli i Komunës së Tetovës rrezikon të shpërbëhet dhe si pasojë të organizohen zgjedhje të reja për këshill komunal. Arsye për këtë është fakti se këshilli nuk e ka miratuar llogarinë përfundimtare të buxhetit të komunës për vitin e kaluar (2021) deri me 31 mars të këtij viti ashtu siç e parasheh ligji.
Edhe pse diskutimi për llogarinë përfundimtare u fut me vonesë në rend dite në seancën e nëntë të komunës, pra më më 7 prill, një javë pas skadimit të afatit ligjor, Kasami i cili u desh që këtë pikë ta fus në seancë më herët, fajin e hedh te këshilltarët.
Për rastin në fjalë, sipas dispozitave ligjore, ministri Goran Milevski tha se qëndrimi i ministrisë lidhur me Këshillin e Komunës së Tetovës është i qartë dhe është në përputhje me ligjin. Kjo ministri në afat prej shtatë ditëve nga pranimi i njoftimit nga Kasami do duhet do t’i paraqesë propozimin Qeverisë së RMV-së për shpërbërje të këtij këshilli.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë, në afat prej një muaj nga dita e pranimit të propozimit duhet të sjell vendim për shpërndarjen e këshillit sipas fuqisë ligjore, të cilin e shpall në “Gazetën Zyrtare të RMV-së”. Ndërsa për periudhën e mbetur zgjedhore do të shpallen zgjedhje të reja për këshill në përputhje me Ligjin për zgjedhje lokale.