Krejt çfarë u tha në seancat ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dolën sërish para trupit gjykues, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të gjithë ish-drejtues të lartë të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Seanca veç e veç e mbajtur ndaj tyre, nuk pati të bëjë me fillimin e mirëfilltë të procesit gjyqësor. Në fakt, ky proces ende nuk ka nisur dhe as që dihet se kur do të nisë.
Mbrojtja kërkon që seancat të nisin më së afërmi në vjeshtën e vitit që vjen, sepse i duhet kohë për t’u përgatitur kurse prokuroria kërkon që kjo të ndodhë në verën e këtij viti, raporton RTKlive.
Madje, pavarësisht se kjo e fundit, shumë pjesë të aktakuzës i ka të redaktuara e për më tepër, vazhdon edhe më tej, pas ngritjes së aktakuzave, të kryejë hetime për rastet e dyshuara.
Për më tepër, ajo ka zgjeruar edhe akuzat ndaj të paraburgosurve, të cilët kanë rreth një vit e gjysmë që po qëndrojnë të mbyllur, pa e ditur se kur do të fillojnë proceset gjyqësore.
E për akuzat e shtuara në aktakuzat e tyre, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, u mbajtën seanca. Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit Special ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar kundër tyre, e që i referohet krimeve që pretendohet të jenë kryera në fshatrat e Suharekës dhe Gjilan.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi , në këtë seancë, u deklarua i pafajshëm, raporton RTKlive.
“Zotëri gjyqtar ,e theksoj edhe një herë se amendamentet tuaja janë shumë të redaktuara dhe ende nuk kam arritur t’i lexoj dhe t’i kuptoj, por deklarohem i pafajshëm”, tha Thaçi, ish president i Kosovës.
Paraprakisht, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou u shpreh se kjo seancë mbahet me qëllim që të akuzuarit t’i lexohen akuzat në gjuhën që flet, të konfirmohet se e kupton aktakuzën dhe të bindet se të drejtat e të akuzuarit respektohen.
Mirëpo, me propozim të mbrojtjes dhe me aprovim të Thaçit, është thënë se nuk është e nevojshme të lexohen akuzat e reja, gjë të cilën gjykatësi e ka aprovuar.
Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, tha se akuzat e reja janë shumë të redaktuara dhe kjo ka bërë që klienti i tij dhe të akuzuarit e tjerë të mos kenë mundësi ta kuptojnë se çfarë paraqet Prokurori i Specializuar.
“Me këto redaktime është e pamundur të kuptohet nga z. Thaçi se për çfarë bëhet fjalë. Ne i kemi diskutuar këto çështje me të dhe kemi thënë që të vetë deklarohet i pafajshëm në këtë moment”, tha Kehoe, raporton RTKlive.
Rreth një orë më vonë, në seancë të veçantë, u paraqit Kadri Veseli, ish kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe një nga figurat qendrore të UÇK-së.
Paraprakisht Veselit iu kanë lexuar aktakuzat e reja nga sekretarja e Gjykatës Speciale, për krimet e pretenduara kundër luftës dhe kundër njerëzimit në fshatrat Semetishtë e Budakovë të Suharekës në periudhat midis 4 korrik 1998 dhe shtatorit të vitit 1998 dhe më 28-29 prill 1999, dhe në Gjilan në korrik të vitit 1999.
Më pas gjykatësi Nicolas Guillou e pyeti Veselin nëse i ka kuptuar akuzat e reja, për të cilat ai tha se i ka lexuar dhe se ka dëshirë që procesi të fillojë sa më shpejt.
“Faleminderit zotëri gjykatës, i kam lexuar, vetëm kam dëshirë që procesi gjyqësor të fillojë sa më shpejt dhe të kem të drejtën ta shpreh pozitën dhe pafajësinë time para qytetarëve të Republikës së Kosovës, luftëtarëve të UÇK-së dhe këtij gjyqi të nderuar”, ka thënë Veseli.
“Deklarohem i pafajshëm”, ka thënë Veseli, raporton RTKlive
Ish-kryeparlamentari i Kosovës, njëkohësisht njëri ndër udhëheqësit e UÇK-së, Jakup Krasniqi, është deklaruar i pafajshëm në aktakuzat e reja që janë paraqitur ndaj tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, lidhur me pretendimet e prokurorisë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Krasniqi deklaroi para trupit gjykues se gjatë tërë jetës ka qenë njeri me integritet.
“Kurrë nuk kisha besuar se juristë të shkolluar në demokraci liberale dhe që pretendojnë që punojnë me drejtësi dhe ngritin akuza në bazë të gënjeshtrave të Serbisë dhe cenojnë të drejtën e lirisë së individit”, tha Krasniqi.
“Mua më vjen turp se pse po jetoj në këtë kohë të këtij lloj homosapiensi që me kaq lehtësi ua shkatërron jetën njerëzve dhe familjeve që guxuan të luftojnë për jetën në liri, për demokracinë e pavarësinë, një regjim ndër më kriminelët e pas Luftës së Dytë Botërore, madje në atë kohë nuk besoj se në botë ka pasur një regjim të tillë kriminal e gjenocidial sa e si ishte regjimi i Millosheviqit, të cilit nuk po i mungon as qimja e flokut”, tha ai.
Krasniqi është deklaruar se është i pafajshëm. “E kam vështirë ta kuptoj edhe akuzën e parë edhe këtë, jam krejtësisht i pafajshëm. Kërkojmë që gjyqi të përshpejtohet dhe të mos të na mbajë padrejtësisht në paraburgim”, deklaroi ai.
Njëri prej ish-krerëve të UÇK-së, njëherit ish- deputet i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, u deklarua gjithashtu i pafajshëm në akuzat e reja që janë paraqitur ndaj tij, në Dhomat e Specializuara në Hagë, lidhur me pretendimet e prokurorisë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Selimi ka thënë se edhe njëherë pohon që nuk ka të bëj asgjë me krimet e as akuzat e pretenduara në këtë aktakuzë.
“Më lejoni të deklarohem i pafajshëm siç edhe në të gjitha pikat e tjera të aktakuzës”, ka thënë Selimi. Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve është konfirmuar më 26 tetor 2020 nga Gjykata Speciale në Hagë.
Akuza ndaj tyre në kohë shtrihet midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.
Ish-krerët e UÇK-së po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.