Grubi: Në Çarshi të Shkupit përjetësohet emri i Ukshin Hotit
Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi bashkë me kryetarin Ali Ahmeti, znj. Myrvete Hoti, drejtorin e ITSHKSH-së Skender Asani dhe kryetarin e Komunës së Çairit Visar Ganiu kanë shpalosur pllakën me emrin e kolosit të mendimit dhe veprimit progresiv kombëtar, Ukshin Hotit që do ta mbajë zyrtarisht një nga rrugët më të frekuentuara të Çarshisë së Vjetër të Shkupit.
Postimi i plotë:
Bashkë me kryetarin Ali Ahmeti, zonjën Myrvete Hoti, drejtorin e ITSHKSH-së Skender Asani dhe kryetarin e Komunës së Çairit Visar Ganiu shpalosëm pllakën me emrin e kolosit të mendimit dhe veprimit progresiv kombëtar, Ukshin Hotit, që do ta mbajë zyrtarisht një nga rrugët më të frekuentuara të Çarshisë së Vjetër të Shkupit.
23 vjet kanë kaluar nga zhdukja e tij fizike, por e pazhdukshme, e përjetshme si orientim në ndërgjegjen e kombit mbeti ideologjia e tij progresive për idealet kombëtare të lirisë dhe përparimit.
Faleminderim edhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës që me ekspozitën “Bëje ose vdis” na e rifreskoi kujtimin për veprimtarinë frymëzuese të Ukshin Hotit.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për atdhedashurinë e tij!