Banka Popullore e Maqedonisë: Vit i vështirë ekonomik
Guvernatorja e Bankës Popullore thotë se qytetarët i pret vit i vështirë ekonomik pas rritjes së inflacionit. Në ndërkohë Banka Popullore pret edhe rritjen e borxhit publik për 63 për qind, me çka vendi hyn në zonën e shteteve me borxh të lartë.
Guvernatorja Anita Angellovska Bezhoska i sugjeron autoriteteve që fokusin ta vënë te përmirësimi i standardit jetësor të qytetarëve, por shton se nuk duhet të harrohen as reformat, pasi siç thotë për momentin realisht po shuhen vetëm zjarre.
“Në momentin që ulet aktiviteti ekonomik, presim ngadalësim të ekonomisë dhe presione në rritje ndaj inflacionit, që do të thotë më pak të ardhura në dispozicion për popullatën, përkatësisht efekte të padëshiruara ndaj standardit jetësor.
Në situata të këtilla është e domosdoshme ndërmarrja e më shumë masave dhe aktiviteteve nga autoritetet me qëllim zbutjen e situatës. Efekte do të ketë, sepse këto janë tronditje të përmasave të papara.
Të gjithë do t’i ndjejmë efektet, por të paktën të ndihmohen grupet me të rrezikuara të qytetarëve”, tha Anita Angellovska Bezhoska, guvernatore e Bankës Popullore.