“Rithemelohet” Partia Demokratike, Sali Berisha shpallet kryetari i ri
Sali Berisha është shpallur kryetari i ri i Partisë Demokratike, pas përfundimit të procesit të “rithemelimit” të kësaj force politike.
Berisha ka fituar thellë ndaj të vetmit kandidat në zgjedhjet për kryetar të PD-së, Ibsen Elezi, në një proces të qetë dhe pa incidente.
Që prej dorëheqjes nëntë vite më parë, Berisha rikthehet tashmë në krye të Partisë Demokratike, në një moment që e gjen këtë forcë politike të përçarë.
Mbështetësit e ish-kryetarit të PD-së Lulzim Basha dhe një grup i konsiderueshëm deputetësh demokratë kanë bojkotuar të gjithë procesin e “rithemelimit” duke mos njohur as Kuvendin dhe Statutin e ri të partisë.
Fati i forcës politike më të madhe opozitare të vendit, megjithatë i mbetet Gjykatës së Tiranës, një proces që edhe ky është shoqëruar me kontestime të shumta.
Ndërsa Berisha nuk ka marrë parasysh paralajmërimet e ardhura SHBA dhe së fundmi nga Gjermania, se me rikthimin e tij, partnerët ndërkombëtarë do të ndërpresin bashkëpunimin me PD-në.
Rikthimi i Berishës në krye të PD-së vjen vetëm katër ditë nga një vjetori i shpalljes së tij dhe familjes së tij si persona “non-grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit me akuzat e rënda të korrupsionit masiv dhe pengimit të drejtësisë.