Publikohet një letër e Hysni Gucatit nga Haga pas vdekjes së babait: Babë sot nuk i paske prit shokët si çdo herë tjetër
Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, nuk mundi të merrte pjesë në varrimin e babait të tij, Avdullah Gucatit, i cili vdiq të premten.
Nga burgu i Gjykatës Speciale në Hagë, ai e ka shprehur dhimbjen për humbjen e të atit, përmes një letre dërguar familjarëve.
Rreshtat e Gucatit i ka publikuar në Facebook, djali i tij, Musli Gucati.
Hysni Gucati shkruan se babanë e kishte “shok lufte, shok shpirti e shok lirie”.
Ai thotë se plumbi që i mbet në trup nga lufta nuk i la dhimbje sa lajmi për vdekjen e babait.
Postimi i Musli Gucatit në Facebook:
Letër nga Hysi me rastin e vdekjes së Gjyshit
Babë sot nuk i paske prit shokët si çdo herë tjetër
Me thanë që portreti ytë i priti të dera,
të ajo derë e shpisë që sditi kurrë me u mbyll
Që edhe Kur kulluan gjak plagët bashkë i kemi ndrydhë,
Unë plagët e tua e ti plagët e mia
Duke qesh me thojshe kështu bir e don liria
Shumë herë Shokve ni fjalë jau ke thanë
Ta kisha plumbin që ka Hysi në trup
Kurrë nuk e kisha larguar, kujtim të lirisë e kisha lanë
Eh ta kisha ditë që ky plumb nuk me dha aq dhimbje
Sa dhimbje me dha lajmi që nuk me paske prit
Të kisha shok lufte shok shpirti e shok lirie
Pusho Babë në amshim larg çdo padrejtësie.
29.05.2022.