Michel: Nëse thoni po, konferenca e parë ndërqeveritare do të organizohen në ditët në vijim
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ndodhet në Shkup, ku mori pjesë në seancën e qeverisë dhe së bashku me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe anëtarët e qeverisë diskutuan për propozimin evropian që do të mundësojë fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).
Pas përfundimit të seancës, Michel dhe Kovaçevski folën në një konferencë të përbashkët për media. Kovaçevski tha se propozimi i rishikuar francez, që është miratuar nga të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe kështu është shndërruar në propozim evropian, përmban vërejtjet e qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Ai e vlerësoi propozimin si të favorshëm dhe se propozimi evropian në mënyrë të qartë dhe pa mëdyshje e pranon e gjuhën maqedonase, duke shtuar se propozimi i nxjerr çështjet historike dypalëshe jashtë kornizës së negociatave.
“Ne do të mund të fillojmë negociatat me Bashkimin Evropian (BE) menjëherë pasi të marrim vendimin tonë për të pranuar propozimin. Për këto arsye nuk duhet të presim më shumë. Le të shfrytëzojmë mundësinë historike për përparimin e vendit, të mendojmë racionalisht, me mençuri dhe me përgjegjësi”, tha Kovaçevski.
Michel, nga ana e tij, tha se vjen në Shkup në një moment kritik për Maqedoninë e Veriut dhe BE-në. Ai tha se e ardhmja e të gjithëve do të jetë më e sigurt dhe më e begatë me Ballkanin Perëndimor si pjesë të BE-së.
“Javën e kaluar, Këshilli i BE-së propozoi një zgjidhje kompromisi të rishikuar dhe personalisht jam absolutisht i bindur se kjo është një zgjidhje e ekuilibruar që adreson shqetësimet tuaja kryesore”, u shpreh Michel.
Ai theksoi dëshirën që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së, duke shtuar se qëllimi i tij është të përshpejtojë procesin. Ai po ashtu shtoi se Maqedonia e Veriut vendos për të ardhmen e saj dhe se vendi i përket BE-së.
“Nëse thoni po, konferenca e parë ndërqeveritare do të organizohet në ditët në vijim dhe do të zbatohet vendimi i marsit të vitit 2020 dhe hapat e ardhshme do të pasojnë menjëherë. Më e rëndësishmja, do të fillojë ‘procesi i skriningut’. Jo vetëm kërkimi i përditësuar i ‘skriningut’, por edhe ‘skriningu’ dypalësh”, deklaroi Michel.
Kreu i Këshillit Evropian në kuadër të vizitës së tij në Shkup takoi edhe presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeparlamentarin Talat Xhaferi.
Në mars të vitit 2020, institucionet evropiane vendosën për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por Bullgaria vendosi veto ndaj procesit për shkak të mosmarrëveshjeve historike me Maqedoninë e Veriut.
Kovaçevski apeloi që të mos përsëriten incidentet e vitit 2017 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut
Kryeministri Kovaçevski në konferencën për media ka komentuar edhe protestat që prej disa ditësh po mbahen para qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Ai tha se protestat janë organizuar nga protestat politike që qartazi janë kundër anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe BE.
Kovaçevski tha se Maqedonia e Veriut është shtet demokratik dhe qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, por apeloi për protesta paqësore.
“Kurrë nuk ka ndodhur, përveç një herë dhe kjo është hera e dytë, protestojnë personat me kapuç, që sulmojnë policinë, të kemi të lënduar policë”, tha Kovaçevski.
Ai kujtoi incidentet e 27 prillit të vitit 2017 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, kur protestuesit e tubuar para Kuvendit, mes tyre edhe persona të maskuar, hynë në Kuvend dhe sulmuan deputetët.
Kovaçevski theksoi se kjo nuk duhet të përsëritet në një vend që është anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në BE.