Gërvalla reagon pas deklaratës së konsullit të shkarkuar: S’ka gënjeshtër apo kërcënim që e ndal reformën institucionale
Konsulli i Republikës së Kosovës, Lulzim Krasniqi, përmes një letre ka njoftuar sot se ministria e Punëve të Jashtme e ka shkarkuar atë nga pozita që mbante në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në New-York.
Ndër të tjerash me këtë rast, Krasniqi ka deklaruar se ministrja Gërvalla gjatë vizitës në zyrën e tij i kishte kërkuar që ta hiqte nga zyra flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
E lidhur me këtë çështje ka reaguar ministrja Gërvalla.
Ajo deklaroi se është premtuar meritokraci dhe profesionalizëm, e që sipas saj asgjë më shumë e asgjë më pak nuk është duke ndodhur në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Gërvalla tha se punësimet ilegale, të jashtëligjshme në këtë ministri, të bëra në të kaluarën janë shfuqizuar.
“Kemi premtuar meritokracinë dhe profesionalizmin si kriter të vetëm për punësim në institucionet e Republikës. Asgjë më shumë e asgjë më pak nuk është duke ndodhur në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Për këtë flet edhe konfirmimi i vendimeve tona nga ana e instancave të ankimimit. Prandaj, punësimet ilegale, të jashtëligjshme në këtë ministri, të bëra në të kaluarën, janë shfuqizuar. Nëse ndërkohë do të konstatohen të tjera, të cilat ende nuk kanë dalë në pah, edhe ato do të shfuqizohen. Nuk ka gënjeshtër, përrallë, shpikje, presion apo kërcënim që e ndal reformën e domosdoshme institucionale.”, tha ajo.
Ministrja Gërvalla shtoi po ashtu se nepotizmi dhe punësimet e paligjshme në të kaluarën e kanë dëmtuar rëndë diplomacinë tonë.
“Prandaj: Drejtësi, barazi, llogaridhënie dhe meritokraci në punësim, vlerësim të punës, ngritje në pozitë, dërgim jashtë vendit. Kjo është formula e një funksionimi më të mirë të MPJD-së dhe e një përfaqësimi më dinjitoz të Republikës së Kosovës jashtë vendit.”, tha ajo.