“Skriningu duhet të përfundojë deri vitin e ardhshëm”/ Në BE ende nuk konsiderohet se Maqedonia i ka nisur negociatat
Skriningu në procesin e negociatave me BE-në duhet të përfundojë për rreth 16 muaj, që është afat pak më i shkurtër se zakonisht, pasi që në vitin 2018 dhe 2019 e deri më tani kemi kaluar një pjesë të aktiviteteve shpjeguese. Këtë e deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, i cili prezantoi kornizën kohore për zbatimin e skriningut me BE, duke shpjeguar se ai tani po zhvillohet në nivel të 6 klasterëve.
“Na pret një periudhë dinamike duke marrë parasysh se procesi i prezantimit të legjislacionit do të fillojë në shtator të këtij viti, pra menjëherë pas pushimeve verore, ndërsa paralelisht brenda kësaj periudhe, prej rreth 15 muajve do të zhvillohet edhe skriningu dypalësh, përkatësisht Komisioni Evropian planifikon që ky proces të mbarojë deri në nëntor të 2023. Raportin e parë të skriningut për klasterin e vlerave themelore e presim deri në fund të marsit 2023.”- deklaroi Bojan Mariçiq, Zv/Kryeministër për Çështje Evropiane.
Megjithatë, për Konferencën e parë Ndërqeveritare, BE-ja thekson se me Maqedoninë e ka filluar fazën e parë të negociatave, ndërsa sa i përket Shqipërisë, thuhet qartë se negociatat kanë filluar. Kjo do të thotë se Maqedonia nuk do t’i nisë negociatat derisa nuk futen bullgarët në Kushtetutë, gjë për të cilin insiston Sofja zyrtare përmes Protokollit. Mariçiq thotë se ende nuk është caktuar kalendari për sjelljen e ndryshimeve, por deri më tani nuk është e qartë se si do të sigurohen 2/3-tat në Kuvend për miratimin e tyre.
“Ne ende nuk kemi caktuar kalendar ose dinamikë për fillimin e ndryshimeve kushtetuese, por ky është obligimi ynë që duhet ta mbarojmë më së voni deri në fund të skriningut. Ne me vëmendje do t’i shqyrtojmë rrethanat, atmosferën, mënyrën në të cilën do ta hapim dialogun në Kuvend ndërsa qëllimi i hapjes së ndryshimeve kushtetuese është që ato të mbarojnë me sukses.”- pohoi Bojan Mariçiq, Zv/Kryeministër për Çështje Evropiane.
Në lidhje me referendumin që e paralajmëron opozita, Mariçiq thotë se i njëjti nuk është i nevojshëm. Megjithatë, opozitarja VMRO-DPMNE për këtë do të debatojë edhe në Komitetin ekzekutiv të partisë.
“Për propozimin për referendum, të shohim se çfarë tip do të jetë, nëse e fillojmë, se si do ta fillojmë, çfarë drejtim do të marrim, ku do ta vendosim fokusin etj. Të dëgjojmë nga anëtarët e Komitetit ekzekutiv të partisë, se çfarë mendojnë ata.”- deklaroi Hristijan Mickoski, Kryetar I VMRO-DPMNE-së
Përndryshe, siç tha zv/kryeministri Mariçiq, deri më tani rreth 45% nga legjislacioni i vendit tonë është harmonizuar me atë të BE-së./TV21