Maqedoni

ASH: Të ndalohen shantazhet me kontrata pune nga ana e partive që kanë pushtet

Shpërndaje

Aleanca për Shqiptarët përmes një pres konference ka shprehur shqetësime se partitë në pushtetin qendror por edhe lokal janë duke bërë fushatë me nënshkrimin e kontratave në vepër me qëllim që më pas t’i shantazhojnë edhe kërcënojnë të njëjtit.

Të nderuar gazetarë, falemnderit që iu përgjigjët kësaj ftese për konferencë për shtyp, ku duam të shprehim shqetësimin tonë si parti politike e njëherësh edhe si qytetarë të këtij vendi për mënyrën se si po shkallon fushata zgjedhore në një fushatë kontratash.

Sikurse e dimë të gjithë, jemi në një kampanjë parazgjedhore për Këshillin e Komunës së Tetovës dhe në këtë fushatë në vend që të kemi një garë reale platformash, ofertash e vlerash njerëzore, për fat të keq nga ana e partive që kanë pushtet, qoftë lokal a qendror, po zhvillohet një garë se kush do të ofrojë më shumë kontrata pune, të cilat kontrata po shndërrohen në mjet kërcënues e shantazhues për qytetarët.

Kjo praktikë e nisur moti nga BDI, tani po përdoret edhe nga partitë e tjera që kanë pushtet qoftë lokal a qendror. Mjafton të kenë një drejtori dhe në çast e shndërrojnë atë në dyqan punësimesh të përkohshme.

Ne si Aleancë për Shqiptarët e dënojmë këtë dukuri të shëmtuar që e devijon ofertën e vërtetë politike në një ofertë devalvuese kontratash më tepër fiktive se reale. Ne duam që në garë të jenë platformat, projektet, mundi dhe vizioni i politikës për ta ndërtuar vendin dhe për ta bërë qytetin tonë një vend të jetueshëm, ku artikulohen njëmendi mundësitë e tij.

Për fat të keq në vend të një oferte të këtillë, në vend të një fushate urbane që e meritojnë qytetarët tanë, ata përballen me kërcënimin më johuman, sic është vendi tyre i punës.
Qytetarët tanimë e kanë kuptuar arsyen pse vazhdojnë të mbahen aq shumë punëtorë me kontratë në vepër. Ata e dinë se përmes këtyre kontratave i shtrëngojnë për ta dhënë votën. Kjo është një dukuri tepër e shëmtuar që i fyen njerëzit duke tentuar të improvizojnë skllavopronarinë në shekullin XXI.

Ta mbash peng punësimin e një njeriu dhe ta thërrasësh në biseda informative se ç’do të bëjë dhe ç’duhet të bëjë ai me votën e tij, përtej presionit, është fyerje dhe shkelje dinjiteti. Rastet i dinë vetë qytetarët dhe revolta e tyre do të artikulohet në ditën e tyre, në ditën kur do të votojnë. Ta mbash peng punësimin e një njeriu që ta kesh në dorë kur të duhet, është si ta pështysh në fytyrë, është si t’ia shkelësh me këmbë kafshatën e gojës.

Përvec kërcënimit me nxjerrje nga puna, viteve të fundit ka ngritur krye një mënyrë tjetër shantazhimi me punësim, ai i kontratave fiktive që bëhen e ndalen për disa muaj, duke i keqpërdorur paratë e qytetarëve, duke i ngulfatur instutucionet, duke i bërë institucionet të punojnë vetëm për paga të votuesve të tyre potencialë e duke i gënjyer në fund edhe vetë ata, duke mos u gjetur vend real pune, e duke ua ndërprerë më pas kontratat, duke ua nxjerrë emrat në listat e turpit si njerëz që kanë marrë rroga, ku pastaj futen në një thes edhe ata që kanë shkuar në punë edhe ata që nuk kanë shkuar, edhe ata që janë munduar e punuar vërtet, edhe ata që kanë punuar nëpër seli të partive e në shtëpitë e funksionarëve. Sepse për fat të keq as që u shkon ndërmend për integritetin e njerëzve, për ndjenjat e tyre.

Të nderuar qytetarë kjo listë problemesh është shumë e gjatë. Sikurse është e gjatë rruga e punëve të mira që duhet ta bëjme. Por para se ta fillojmë angazhimin e vërtetë duhet bërë pastrimi nga devijacioni kolektiv.

Prandaj, i ftoj partitë politike që janë pjesë e pushteteve ta ndalojnë presionin dhe prodhimin e kontratave gënjyese të çastit, për shumë arsye. Por në radhë të parë për ta ngritur nivelin garues, sepse ky popull s’meriton të përulet kështu dhe e dyta për të vendosur një standard të mirëfilltë ofertash të programeve që e rrisin cilësinë e jetës sonë, sikurse e meritojnë qytetarët.

Po ashtu i ftoj qytetarët që masovikisht t’ua prishim kontratën e rehatisë personale që e kanë lidhur kahmot pushtetarët në kurrizin tonë, në kurrizin e secilit prej nesh.