Turqia paralajmërim Greqisë: Nëse futeni në aventurë për llogari të të tjerëve, do t’i vuani pasojat
Ministri i Jashtëm i Türkiye-s, Mevlüt Çavuşoğlu, duke iu referuar provokimeve të vazhdueshme nga Greqia, paralajmëroi Athinën që të mos futen në aventurë për llogari të të tjerëve.
“Ndërsa ne përpiqemi të respektojmë të drejtat tona të fqinjësisë në të dy anët e Egjeut, Greqia vazhdon ende provokimet dhe kërkon telashe. Nëse hyni në një aventurë për llogari të të tjerëve, do t’i vuani pasojat sot si në të kaluarën. Ky është një paralajmërim për fqinjin tanë Greqinë”, tha Çavuşoğlu në një simpozium mbi Betejën e Sakarya-s të vitit 1921.
Ministri i Jashtëm turk i bëri thirrje Greqisë që të mos jetë “mjet” i të tjerëve dhe t’i japë fund provokimeve të saj.
Türkiye, anëtare e NATO-s për më shumë se 70 vjet, është ankuar për veprimet dhe retorikën e përsëritur provokuese nga Greqia në rajon gjatë muajve të fundit, duke përfshirë armatimin e ishujve pranë brigjeve turke që janë çmilitarizuar sipas një traktati të shekullit të kaluar, duke thënë se hapat e tillë pengojnë përpjekjet për paqe.
Duke e përkufizuar diplomacinë turke si “sipërmarrëse dhe humanitare”, Çavuşoğlu tha se vendi i tij mbron të drejtat dhe interesat e tij në të gjitha platformat.
“Ne kemi projekte që do të kontribuojnë për paqen dhe prosperitetin jo vetëm në rajonin tonë, por edhe në nivel global”, shtoi ai./AA