Rama nga Praga: Ministrat e Energjisë së Ballkanit, pjesë e takimit të BE për krizën energjetike
Nga Praga ku u mbajt takimi mes 27 krerëve të vendeve anëtare të BE dhe 17 shteteve aspirante për t’u bërë pjesë e unionit, Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se diskutimi për krijimin e Komunitetit Politik Europian me shumë mundësi të konsolidohet më tej.
Duke folur për mediat shqiptare pas këtij takimi, Rama bëri me dije gjithashtu se ditët në vijim në Pragë do të mbahet një tjetër ministerial për të diskutuar për përballimin e krizës energjetike.
Në këtë takim të vendeve të BE-së janë thirrur të marrin pjesë edhe 6 ministrat e Energjisë së rajonit të Ballkanit.
Ky është një lajm i mirë, deklaroi Rama për gazetarët, i cili theksoi se kërkoi që për këtë krizë të ndihmohen edhe vendet e tjera të Ballkanit dhe jo vetëm Shqipëria e Maqedonia e Veriut si dy shtetet që kanë hapur negociatat për anëtarësim në BE.
Pyetje: A pati një vendimmarrje dhe si u prit propozimi juaj?
Kryeministri Rama: Është lançuar një format i ri bazuar në një ide që nuk është e re, por është një ide e cila ka hasur gjithmonë situata në pengesa që nuk e kanë lënë të zhvillohet dhe faktikisht besoj që edhe për shkak të gjithë frymës së krijuar nga solidariteti me Ukrainën e kanë bashkuar të gjithë këta familje demokracish në Europë, pavarësisht nëse janë BE apo janë vetëm E. Besoj që projekti ka të gjitha gjasat që të zhvillohet dhe të konsolidohet më tutje. Edhe formati i takimit ishte shumë i pazakontë sepse pas seancës plenare ku kam pasur nderin të jem një ndër folësit, një vlerësim i jashtëzakonshëm besoj për Shqipërinë në një format me më shumë se 40 vende, ne i kemi ndarë në një sërë tryezash të rrumbullakëta, ku jemi fokusuar pastaj në detaje për çështjet që lidhen në propozimin tonë dhe njëkohësisht edhe ato që janë çështjet më të nxehta që nga kriza e përbashkët dhe e përbotshme energjetike tek inflacioni i Putinit edhe tek forcat e rublave në gjirin e shoqërive tona.
Pyetje: Z.Rama ju folët edhe frikëra në fakt a kishit një skepticizëm nëse do të arrijë t’ja dali që të dëgjohet zëri i gjithë vendeve të Europës në këtë format të ri?
Kryeministri Rama: Ky është një proces, frika ka qenë një forcë shumë vendimtare në gjithë historinë e përpjekjeve për të ndërtuar një Komunitet Politik Europian, ashtu sikundër ka qenë një forcë goxha penguese në momente të caktuara për të gjitha formatet, përfshirë edhe për vetë BE. Por në një situatë si kjo Europa është në pikën ku për ta parashikuar të ardhmen duhet ta krijojë.
Pyetje: A u mor ndonjë angazhim për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor përsa i përket kalimit të krizës energjetike, pasi në fjalën tuaj mësohet se ju e keni shprehur një lloj frike për të mos u përsëritur skenari siç ndodhi me vaksinat?
Kryeministri Rama: Lajmi i mirë është që kërkesën time drejtuar kryetares së komisionit, është pranuar që të thirren edhe ministrat tanë të Energjisë, pra ministrat e Energjisë në rajonin tonë, në Ministerialin e jashtëzakonshëm që do të zhvillohet në Pragë me të gjithë ministrat e Energjisë për të trajtuar çështjen e krizës energjetike si një çështje evropiane dhe jo si një çështje thjesht e BE. Ndërkohë që në tryezën e rrumbullakët ku unë kam qenë së bashku me Kryeministrin e Holandës, fokusi kryesor ka qenë pikërisht kriza energjetike dhe si vendet tona duke filluar nga vendet që kanë hapur negociatat për anëtarësim do të mund të ndihmohen drejtpërdrejt. Ndërkohë që unë kam insistuar që nuk duhet të ketë diferenca dhe duhet të përfshihen të 6 vendet pavarësisht se i kanë hapur apo nuk i kanë hapur negociatat.
Pyetje: Drejtpërdrejt do të thotë me një fond?
Kryeministri Rama: Jo nuk jemi akoma në atë pikë por jemi në një proces.
Pyetje: Z.Rama, mendoni se Komuniteti Politik Europian do të shërbejë si Ballkani i Hapur dhe cili do të jetë fokusi kryesor?
Kryeministri Rama: Nuk më kishte shkuar në mend ky krahasim por është një krahasim i dobishëm për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë. Pra, është një komunitet vendesh që bashkohen për të adresuar çështje që janë gjithmonë e më të përbashkëta. Nuk mund të ndahet dot në pjesë kriza e energjisë, kriza e klimës, kriza demografike dhe kështu me radhë. Për këtë arsye gjithmonë e më shumë e ardhmja na i sjell bashkarisht problemet sepse jemi në një epokë të re rreziku. Kemi ikur nga epoka e perspektivës së sigurtë dhe jemi futur në epokën e rrezikut. Dhe kjo epokë e rrezikut i ka mbledhur të gjithë dhe faktikisht i ka nxitur dhe po i nxit që të afrohen sa më shumë për shkak të inflacionit të luftës dhe për shkak të gjithë pasojave të një lufte që nuk e kemi filluar ne, por që nuk e shmangim dot ardhjen e saj tek ne në formën e inflacionit të luftës, në formën e rublave në duar të pista që përpiqen të ngatërrojnë punët dhe patjetër në formën e çmimeve marramendëse të energjisë. Aty duke dëgjuar kolegët për rritjet e bëra dhe për rritjet që pritet të bëhen, realisht ishte tronditëse dhe për pamundësi për të mos vazhduar rritjen e çmimeve ndërkohë që ne do të vazhdojmë të insistojmë në Shqipëri që mos të rriten çmimet për familjarët, për biznesin e vogël dhe ne po përpiqemi madje edhe për një sërë sipërmarrjesh që janë goditur egërsisht nga dalja në tregun e lirë të gjejnë mënyra se si t’ua relativizojmë këtë dhimbje dhe t’u japim njëfarë mbrojtje. Pamë dhe një tabelë të inflacionit që lidhet me energjinë dhe unë pashë me një lloj lehtësimi që në tabelën e të gjitha këtyre vendeve që ishin këtu, vetëm Hungaria ka një inflacion më të ulët në këtë drejtim se sa ne.
Pyetje: Do të keni dhe disa takime bilaterale mes të cilave dhe me Kryeministrin e Greqisë. A do të jetë çështja e detit një nga çështjet që do të diskutohet dhe a mendoni se brenda këtij viti do t’i drejtoheni në mënyrë të përbashkët me Greqinë, Gjykatës së Drejtësisë?
Kryeministri Rama: Do ulemi të flasim, ky është një proces ligjor, ka një sërë rregullash, ka një sërë procedurash dhe ne do t’i respektojmë procedurat nga fillim në fund sepse duhet të bëjmë shumë të qartë pozicionin tonë, duhet të bëjmë shumë të qartë çfarë ne synojmë në këtë proces dhe ai qëndrimi i unifikuar që kërkohet nga kjo gjykatë për çfarë synon njëra palë çfarë synon pala tjetër, kërkon kohën e vetë. Pra nuk kemi një konsensus mes palëve.
Pyetje: Sa pritet ta ndihmojë Shqipërinë ky organizim, megjithëse ishte dhe i pari në fakt, në rrugën drejt integrimit?
Kryeministri Rama: Të gjitha duhen. Me këtë format jemi në në tjetër hapësirë të integruar dhe ajo që është edhe më e rëndësishme është që Shqipëria ka komplet një zë tjetër dhe një peshë tjetër sepse e përfaqëson më së miri një pjesë të Europës që nuk është në Europën e bashkuar por që mbetet Europë.
/tvklan.al