Opinione

Pse kaq shumë “Mirupafshim Shqipëri”?

Shpërndaje

Shkruan: Silvana BEGAJ

Nëse i referohemi të dhënave të INSTAT-it në dekatën e fundit kanë emigruar afërsisht nga 200.000 deri në 400.000 mijë shqiptarë. Portale të ndryshme kanë publikuar se në vitin akademik 2022-2023 janë regjistruar 15000 studentë më pak se një vit më parë. Shumë shkolla, kopshte dhe cerdhe janë mbyllur në mungesë të nxënësve.

Këta studentët, nxënësit, fëmijët nuk kanë braktisur shkollën, por kanë braktisur Shqipërinë! Shqiptarë që po sakrifikojnë Gjithcka për Asgjë.

Sot ka qindra mijëra shqiptarë që sorollaten nëpër azilet e Gjermanisë, Francës, Anglisë. Sot kemi qindra e mijëra shqiptarë që jetojnë në Europë në mënyrë të paligjshme me shpresën se mund të rregullohen jashtë vendit të tyre.

Po pse kaq shumë: Mirupafshim Shqipëri?

Genti dhe Teuta janë dy të rinj që sapo kanë përfunduar studimet universitare. Ata punojnë në administratë shtetërore dhe të dy paguhen me rrogë sepcialisti, dyzet e pesë mijë lekë të rinj paguhet Genti e pak më pak paguhet Teuta. Të dy marrin gati nëntë dhjetë mijë lekë të rinj në muaj!

Genti dhe Teuta e kanë shumë të vështirë të blejnë një shtëpi për të mos thënë të pamundur.

Nëse ju hedhim një sy agjensive imobiliare në Shqipëri, një apartament në Tiranë jashtë unazës së madhe me tre dhoma gjumi kushton nga 150 mijë euro deri në 265 mijë euro. I njëjti cmim është në zonën e Freskut, Dajtit, Astirit etj.

Sa vite punë i duhet një çifti për të grumbulluar lekët që të blejnë një apartament?

Nëse kalkulojmë shpenzimet mujore të Gentit dhe të Teutës janë më shumë shpenzime mujore se të ardhurat që ata kanë. Shpesh herë çifti i të rinjëve detyrohet ti kërkojnë ndihmë familjarëve. Dy të rinjtë kanë marrë me qera një apartament i cili kushton tridhjetë mijë lekë të rinj në muaj.

Shpenzimet mujore të këtij çifti janë, qeraja e shtëpisë, faturat e dritave, ujit administrimin e pallatit, telefonin, televizorin…. Të gjitha këto shpenzime kushtojnë diku tek dyzet mijë lekë të rinj.

Në fillim të muaijt cifti ka shpenzuar 50% të rrogës duke shlyer faturat bazike, pjesa tjetër që u ngelet nga rroga e konsumojnë vetëm për shportën e ushqimeve bazike, nuk po llogarisim shpenzimet e ”luksit”,ndryshimin e garderobës sipas stinëve përshembull!

Sot, 60% e të rinjëve shqiptarë e jetojnë jetën si Genti dhe Teuta. Shumica e të rinjëve janë rrogëtarë dhe kjo rrogë nuk iu mjafton për të mbuluar shpenzimet e nevojshme mujore.

Kush mund të na tregojë një formulë që Genti dhe Teuta që punojnë në punë relativisht të mirë në administratë, të blejnë një apartament, të kenë mundësi që ta nisin jetën normale si kudo në Europë?

Unë, në emër të Gentit dhe të Teutës dhe shumë të rinjëve, po i drejtohem znj,Ministre së të rinjëve dhe fëmijëve, qeverisë shqiptare dhe deputetëve të parlamentit me pyetjen:

Vërtet nuk e dini se të ardhurat e një specialisti janë shumë herë më pak se shpenzimet e detyrueshme mujore? Ku jetoni Ju? Kur bëni thirrje : Mos ikni, Kthehuni etj., keni menduar si, çfarë do i ofroni ju shqiptarëve përvec teatër politikë?

Ju që jeni ligjvënës a nuk duhet ti mbroni të rinjtë dhe të gjejni instrumentat e duhura që ata të mos e braktisin vendin e të mos ikin nëpër botë, sepse ata po braktisin Shqipërinë dhe po vuajnë nëpër Europë që të fitojnë statusin e azilantit ekonomik, politik etj.

A nuk iu vjen turp që shtetasit tuaj akoma rrezikojnë jetën dhe emigrojnë në rrugë të frikshme? Rinia shqiptare po lë prindërit të moshuar në mëshirë të fatit me pensione qesharake. Kjo nuk është aventurë dhe as rini e papërgjegjshme. Është rini e pashpresë…

A nuk po shikoni se po e katandisni Shqipërinë si një vendi i moshës së tretë që e mbajnë kokën nga deti, rruga dhe qielli në pritje të fëmijëve të tyre dhe nipërve mbesave që ndoshta as shqip nuk do flasin më?

I bëj thirrje qeverisë shqiptare që të marrë masa dhe të ndalojë këtë ikje masive. Të rinjtë duan të shikojnë ndryshime të dukshme. Të rinjtë duan shpresa.

Do thoja ka ardhur koha të reflektoni, por edhe pse jeni kaq vonë, gjithmonë ka kohë për ti ndrequr gabimet. Duhen ndryshime jo monologje dhe diskutime pa vlerë. Jepini fund nepotizmit në institucionet publike.

Mos shpërndani fonde nëpër Organizata, fondacione apo biznese që të mbajnë konferenca, por aprovoni projektet e të rinjve kreativë. Jepini një dorë bizneseve të vogla Start Up që të rinjtë të vetëpunësohen dhe të sjellin risi në Shqipëri që të mos shkëlqejnë vetëm jashtë kufijve tanë.

Tregojini që jemi në Shqipëri, vendi më vital në botë dhe jo në xhungël ku mbijeton më i forti. Ndryshoni politikat sociale, aplikoni programe qe nxisin punësimin, integroni të rinjtë drejt tregjeve të ndryshme.

Nuk duam më të dëgjojmë drama politike, fajtore pa ndëshkim, fonde që humbën, një Shqipëri që po braktiset dhe sy pa shpresë…