Lufta ndaj zhvatësve vazhdon, Sveçla komenton sekuestrimet e vilave në Brezovicë

Shpërndaje

Prokuroria Themelore në Ferizaj ua ka vendosur sot shiritat 30 vilave të ndërtuara në Brezovicë ndërsa në proces të sekuestrimit janë edhe 50 të tjera. Vilat luksoze të sekuestruara janë të biznesmenëve dhe politikanëve të ndryshëm. Ato do të jenë të paprekura të paktën deri në sqarimin dhe hetimin e gjithë rastit “Brezovica”.

Për këtë aksion të madh të zhvilluar gjatë gjithë ditës, ka dhënë mendimin e tij edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Postimi i plotë:

Përgëzoj Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe të gjitha institucionet tjera për realizimin e suksesshëm të aksionit të radhës në luftën e pakompromis ndaj krimit, korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, në aksionin ‘Brezovica’ pas vlerësimit të raporteve nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë, Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.

Jemi te vendosur që të zbatojmë maksimalisht ligjin dhe të gjithë shkelësit e keqpërdoruesit të vendosen para drejtësisë dhe organeve kompetente.
Lufta jonë ndaj krimit, korrupsionit dhe zhvatësve të pasurisë publike do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme me të gjitha angazhimet e plota të organizmave tanë institucional në mbrojtjen efektive të së përbashktës.